"67% e të diplomuarve në arsim profesional punësohen menjëherë"/ Rama: Ekonomia kërkon më shumë fuqi punëtore të kualifikuar
Në podcastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama foli për zhvillimet në arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri, duke e vendosur fokusin te roli që ai po merr në përgatitjen e fuqisë punëtore për ekonominë e dekadës së ardhshme.
Ai u ndal te Konferenca e tretë kombëtare për arsimin dhe formimin profesional, ku sipas tij është diskutuar një nga çështjet më të rëndësishme për ekonominë shqiptare, zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Rama u shpreh se Shqipëria nuk përballet më me mungesë investimesh, por me nevojën për më shumë specialistë dhe profesionistë të kualifikuar që të përballojnë kërkesën në rritje të tregut.
Sektorë si turizmi, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika dhe shërbimet moderne, sipas tij, po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës të trajnuar.
Ai theksoi se kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar po rritet më shpejt se oferta, duke e bërë arsimin profesional një element gjithnjë e më të rëndësishëm të sistemit arsimor.
Sipas të dhënave të paraqitura, rreth 67% e të diplomuarve në arsimin profesional punësohen menjëherë pas përfundimit të studimeve, ndërsa në disa sektorë si turizmi kjo shifër arrin pothuajse në 100%.
Rama e përshkroi arsimin profesional si një nga dy shtyllat kryesore të arsimit në vend, duke synuar që ai të shërbejë si një rrugë e drejtpërdrejtë drejt punësimit dhe zhvillimit të karrierës. Ai shtoi se objektivi është forcimi i këtij sistemi për të përmbushur nevojat e tregut dhe investimeve që po vijnë në Shqipëri.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:
Edhe një shënim tjetër.
Këtë javë mora pjesë në një konferencë, e treta kombëtare e arsimit dhe formimit profesional, ku u diskutua gjerësisht për sfidën që përcakton edhe një pjesë të mirë të suksesit të ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme: kapitalin njerëzor.
Sot Shqipëria nuk ka më për problemin e mungesës së investimeve.
Përkundrazi, sot Shqipëria përballet me gjithmonë e më shumë investime dhe gjithmonë e më shumë nevojë për specialistë, teknikë, profesionistë të kualifikuar, sepse këto investime kërkojnë kapital njerëzor të kualifikuar nga turizmi i nivelit të lartë, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika apo shërbimet e tjera bashkëkohore.
Kërkesa për fuqi të kualifikuar rritet me ritme shumë më të shpejta sesa oferta.Pikërisht për këtë arsye, arsimi profesional merr gjithnjë e më shumë një rol strategjik.
Nëse dikush shihej si një ngushëllim për ata që ishin më të lodhurit dhe nuk arrinin dot as ta mendonin derën universitetit, sot ai është bërë një nga dy rrugët dhe është madje një rrugë me garanci të mëdha drejt punësimit dhe karrierës.
Këtë e shpjegon fakti që, jo vetëm numri i nxënësve është rritur, por edhe që 67% e atyre që mbarojnë arsim profesional punësohen menjëherë. Ndërkohë që, në disa fusha, siç është, për shembull, turizmi 100%, 100% e atyre që bëjnë arsim profesional punësohen.
Dhe objektivi ynë është shumë i qartë: që të shtyjmë përpara një projekt të nisur vite më parë për ta bërë arsimin profesional anën tjetër të medaljes së arsimit në Shqipëri dhe t'ju japim mundësi të gjithë atyre që investojnë që të mbështeten në burime njerëzore të kualifikuara.


