SHBA DREJT NJË FAZE TË RE L*FTE/ Washington Post: Pentagoni gati për sulme tokësore në Iran

SHBA DREJT NJË FAZE TË RE L*FTE/ Washington Post: Pentagoni gati
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e një faze të re në konfliktin me Iranin.

Sipas raportimeve të The Washington Post, Pentagon po përgatitet për disa javë operacionesh tokësore, ndërsa mijëra trupa dhe marinsa janë duke u dërguar në Lindjen e Mesme.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nga presidenti Donald Trump.

Një ndërhyrje e tillë shihet si e rrezikshme për ushtarët amerikanë, për shkak të kërcënimeve si dronët, raketat dhe mjetet shpërthyese që mund të përdoren nga Irani.

Sipas burimeve, nuk bëhet fjalë për një pushtim të plotë, por për operacione të kufizuara dhe të synuara, ku mund të përfshihen forcat speciale dhe njësi të këmbësorisë.

Ende nuk ka një vendim të qartë nëse do të miratohet ky plan, pasi brenda administratës ka sinjale të ndryshme për mënyrën se si duhet të vijojë situata.

Në disa raste është folur për një përfundim të shpejtë të konfliktit, ndërsa në të tjera për një përshkallëzim të mundshëm.

Nga njëra anë, vetë Trump ka lënë hapur mundësinë e negociatave me Iranin.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka paralajmëruar pasoja të rënda nëse Teherani nuk ndryshon qëndrim për programin bërthamor dhe kërcënimet ndaj SHBA-së.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti J. D. Vance ka dhënë një tjetër mesazh, duke lënë të kuptohet se përplasja mund të mos zgjasë shumë.

EMISIONET