"Dy anije do të kalojnë Ngushticën çdo ditë"/ Pakistani arrin marrëveshje me Iranin

Irani ka rënë dakord të lejojë 20 anije nën flamurin pakistanez të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Lajmin e ka dhënë Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar përmes një postimi në “X”. Sipas marrëveshjes, dy anije do të kalojnë çdo ditë në Ngushticën e Hormuzit.
“Jam i lumtur të ndaj një lajm të shkëlqyer se Qeveria e Iranit ka rënë dakord të lejojë 20 anije të tjera nën flamurin pakistanez të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit; dy anije do të kalojnë Ngushticën çdo ditë. Ky është një gjest i mirëpritur dhe konstruktiv nga Irani dhe meriton vlerësim. Është një paralajmërues paqeje dhe do të ndihmojë në sjelljen e stabilitetit në rajon. Ky njoftim pozitiv shënon një hap domethënës drejt paqes dhe do të forcojë përpjekjet tona kolektive në atë drejtim. Dialogu, diplomacia dhe masa të tilla për ndërtimin e besimit janë e vetmja rrugë përpara”, thuhet në postimin e ministrit pakistanez.
Pakistani ka vepruar si ndërmjetës i negociatave midis SHBA-së dhe Iranit, siç konfirmoi të enjten i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff.

