SHBA dhe Irani nisin bisedimet në Zvicër, Katari konfirmon takimin

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë nisur në Zvicër, njoftoi ndërmjetësi i Katarit. Takimi zhvillohet me synimin për të arritur një marrëveshje të përkohshme mes dy vendeve, ndërsa palët përballen me një sërë mosmarrëveshjesh.
Ministria e Jashtme e Katarit bëri të ditur se ka nisur “Samiti i Liqenit të Lucernës” dhe takimi i parë i komitetit të nivelit të lartë, ku marrin pjesë përfaqësues nga SHBA-ja, Irani, Katari dhe Pakistani.
Në qendër të diskutimeve janë hapja e ngushticës së Hormuzit, lehtësimi i sanksioneve amerikane ndaj eksporteve të naftës iraniane dhe zhbllokimi i aseteve iraniane jashtë vendit. Delegacioni amerikan drejtohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili ka zgjeruar axhendën e bisedimeve duke përfshirë edhe situatën në Liban.
Nga ana tjetër, delegacioni iranian kryesohet nga kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf. Pjesëmarrja e zyrtarëve të sektorit të energjisë dhe bankës qendrore tregon se Teherani kërkon që diskutimet të fokusohen edhe te heqja e sanksioneve ekonomike.
Ministria e Jashtme zvicerane konfirmoi se të gjitha delegacionet dhe ndërmjetësit ndodhen në resortin ku po zhvillohen negociatat. Bisedimet pritet të jenë të vështira, për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve.

