SHBA: Dehidratim dhe kequshqyerje, arrestohet nëna e dy binjakëve!

SHBA: Dehidratim dhe kequshqyerje, arrestohet nëna e dy binjakëve!

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Washington, D.C., ku një nënë 25-vjeçare akuzohet se ka braktisur për ditë të tëra binjakët e saj 13-muajsh, duke shkaktuar vdekjen e vajzës së vogël dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e djalit.

Sipas autoriteteve, policia ndërhyri më 18 janar pas një telefonate emergjente që raportonte për një fëmijë pa shenja jete në një apartament.

Brenda banesës, efektivët gjetën dy foshnjat në gjendje të rëndë. Vajza, e identifikuar si Mazouri Jones, u shpall e vdekur në vendngjarje, ndërsa vëllai i saj binjak u gjet ende gjallë pranë trupit të motrës.

Hetimet paraprake tregojnë se nëna e tyre, Valencia Duke, dyshohet se i kishte lënë fëmijët pa mbikëqyrje për periudha të gjata. Sipas dokumenteve hetimore, gjatë rreth 92 orëve ajo kishte kaluar vetëm pak kohë në apartament me binjakët.

Autoritetet raportuan se kushtet brenda banesës ishin alarmante. Në apartament u gjetën ushqime të prishura, mbeturina dhe substanca të dyshuara narkotike.

Djali i mbijetuar u transportua menjëherë në spital në gjendje kritike. Mjekët konstatuan se ai vuante nga hipotermia dhe kequshqyerja e rëndë. Sipas dokumenteve të çështjes, foshnja ishte aq e uritur sa tentoi të kafshonte një stetoskop, duke e ngatërruar me ushqim.

Autopsia e kryer mbi vajzën 13-muajshe përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte dehidratimi dhe kequshqyerja e rëndë. Autoritetet e klasifikuan rastin si vrasje.

25-vjeçarja u arrestua më 3 qershor dhe tashmë përballet me akuza për vrasje të shkallës së parë dhe abuzim me fëmijët. Sipas mediave amerikane, ajo mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa pritet të dalë para gjykatës në seancat e ardhshme.

EMISIONET