Rusia rekruton mijëra afrikanë për luftën në Ukrainë, dëshmitë e robërve zbulojnë një realitet të ndërlikuar

Rusia po vijon rekrutimin e qytetarëve nga vende afrikane për të plotësuar nevojat ushtarake në luftën kundër Ukrainës. Sipas autoriteteve ukrainase, që nga nisja e pushtimit në shkurt të vitit 2022, rreth 3 mijë persona nga 36 vende afrikane janë përfshirë në radhët e ushtrisë ruse.
Por dëshmitë e disa luftëtarëve afrikanë të kapur nga forcat ukrainase paraqesin një pamje më të ndërlikuar të mënyrës se si ata përfunduan në front. Në intervista për median Politico, disa prej tyre thanë se iu bashkuan ushtrisë ruse me vullnetin e tyre, kryesisht për arsye ekonomike, dhe se synojnë të rikthehen në Rusi në rast të një shkëmbimi të të burgosurve.
Një prej tyre, një shtetas nga Republika Demokratike e Kongos i identifikuar me pseudonimin “Avatar”, tha se tashmë e konsideron Rusinë si vendin ku dëshiron të jetojë.
“Kam familje në Rusi. Pse duhet të kthehem në Kongo? Dua të rikthehem në Rusi”, është shprehur ai.
Një tjetër luftëtar nga Egjipti, i njohur si “Cairo”, ka treguar se ai dhe persona të tjerë kishin firmosur kontrata me ushtrinë ruse duke qenë të informuar për detyrat që do të kryenin.
“Nuk është e vërtetë që afrikanët janë mashtruar. Kur firmos kontratën, të shpjegohet qartë puna”, është shprehur ai.
Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase akuzojnë Moskën se po shfrytëzon qytetarë afrikanë për nevojat e luftës, duke i tërhequr me premtime për paga dhe përfitime financiare.
Sipas raportimeve, rekrutët afrikanë marrin një bonus fillestar prej rreth 13 mijë dollarësh dhe një pagë mujore prej të paktën 2 mijë dollarësh, shifra që konsiderohen të larta krahasuar me të ardhurat mesatare në shumë vende të Afrikës Subsahariane.
Çështja është kthyer në një tjetër pikë përplasjeje mes Moskës dhe Kievit për ndikimin në kontinentin afrikan. Ukraina ka rritur përpjekjet diplomatike në Afrikë, ndërsa Rusia vazhdon të mbështetet te rrjeti i saj diplomatik dhe lidhjet historike të krijuara që nga periudha sovjetike.
Ndërkohë, disa prej luftëtarëve afrikanë të kapur në Ukrainë kërkojnë që të përfshihen në marrëveshjet e shkëmbimit të të burgosurve, me synimin për t’u kthyer në Rusi.


