Përplasje Kinë-SHBA/ Xi Jinping akuzon SHBA-të për shtypje ndaj ekonomisë kineze
Ashpërsohet edhe më tej retorika mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Në një takim me përfaqësues të bizneseve në Pekin presidenti Xi Jinping ka kërkuar që kompanitë të bashkëpunojnë me partinë komuniste në atë që e quajti luftë ndaj shtypjes së SHBA. Ministri i jashtëm kinez në deklaratën e parë pas marrjes së detyrës ka theksuar se nëse Uashingtoni nuk ndryshon kurs, konfrontimi është i pashmangshëm.
Me një gjuhë të zhveshur nga diplomacia e zakonshme presidenti kinez Xi Jinping ka lëshuar kritika të forta ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rrjeti CNN i quan thëniet e liderit kinez si komente jashtëzakonisht të drejtpërdrejta, teksa u bëri thirrje kompanive që të "luftojnë" përkrah Partisë Komuniste në një kohë sfidash në rritje brenda dhe jashtë vendit
"Në pesë vitet e fundit, vendet perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara na kanë frenuar dhe shtypur në një mënyrë të gjithanshme, gjë që ka sjellë sfida të rënda të pashembullta për zhvillimin tonë".
Presidenti kinez foli para një grupi këshilltarësh qeveritarë që përfaqësonin bizneset private gjatë një takimi në Pekin të hënën.
Jinping shprehu shqetësime për sfidat e jashtme dhe ekonomike me të cilat përballet vendi, ndërsa i bëri thirrje popullit kinez të jetë I bashkuar.
“Në periudhën e ardhshme, rreziqet dhe sfidat me të cilat përballemi do të rriten dhe do të bëhen më të rënda. Vetëm kur të gjithë njerëzit mendojnë bashkë, punojnë bashkë mund ti fitojmë betejat e reja," tha ai.
Komentet e presidentit kinez vijnë në të njëjtën gjatësi vale me deklaratat e ministrit të jashtëm të pekinit.
Sapo mori detyrën, ai paralajmëroi të martën se "konflikti dhe konfrontimi" me Shtetet e Bashkuara është i pashmangshëm nëse Uashingtoni nuk ndryshon kursin.
Kryediplomati kinez ka paralajmëruar për "pasojat katastrofike" të asaj që ai e përshkroi si një "bixhoz të pamatur" nga Uashingtoni në mënyrën se si e trajton Kinën. Tensionet mes SHBA dhe Kinës, vijnë në një kohë kur sekretari amerikan I shtetit Blinken ka shprehur dyshime se Pekini mund të furnizojë moskën me armë që do të përdoren në Ukrainë.
Nga ana tjetër Kanadaja ka hapur së fundi një hetim për ndërhyrjen e dyshuar të Kinës në zgjedhjet e vitit 2019.