PAMJE/ Rusia godet sërish Kievin me raketa balistike, shpërthime pas mesnate dhe zjarre në disa zona

PAMJE/ Rusia godet sërish Kievin me raketa balistike, shpërthime pas

Rusia ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ndaj Ukrainës gjatë natës, duke goditur Kievin me raketa balistike dhe qytete të tjera me dronë. Shpërthimet u dëgjuan pak pas mesnatës, ndërsa mbrojtja ajrore u aktivizua për të zmbrapsur sulmin.

Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan se raketat ruse po i afroheshin kryeqytetit. Menjëherë pas alarmit, sistemet e mbrojtjes ajrore hynë në veprim, ndërsa në disa zona të Kievit u raportuan zjarre.

Sipas autoriteteve lokale, tre vatra zjarri u regjistruan në lagjen Holosiivskyi, në jug të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, dhe kreu i administratës ushtarake të qytetit, Timur Tkachenko, bënë të ditur se nuk ka raportime për të lënduar në kryeqytet.

Banorët e Kievit qëndruan për rreth 50 minuta nën alarmin ajror dhe dëgjuan të paktën gjashtë shpërthime gjatë sulmit.

Në të njëjtën kohë, sulmet me dronë rusë goditën edhe qytetin e Zaporizhias, ku u plagosën 11 persona. Gjashtë të tjerë mbetën të plagosur pranë Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.

Sulmi vjen vetëm pak orë pas samitit të zhvilluar në Paris nga vendet e "Koalicionit të të Gatshmëve", ku aleatët e Ukrainës diskutuan rritjen e ndihmës ushtarake për Kievin dhe forcimin e mbrojtjes ajrore në Evropë.

Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi takimin një hap të rëndësishëm për Ukrainën dhe kërkoi sërish më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, në një kohë kur vendi po përballet me mungesë municionesh për sistemet Patriot.

Që prej muajit qershor, Rusia ka shtuar përdorimin e raketave balistike në sulmet ndaj Kievit. Këto raketa janë më të shpejta dhe më të vështira për t'u ndaluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, duke rritur rrezikun për kryeqytetin ukrainas dhe qytetet e tjera të vendit.

EMISIONET