OBSH "ngre" alarmin për Ebolën në Kongo: Shpërthimi mund të jetë disa herë më i madh se shifrat zyrtare

Shumica e rasteve të reja të Ebolës në disa pjesë të Republikës Demokratike të Kongos nuk kanë lidhje të njohura me pacientët ekzistues, tha drejtori i emergjencave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Chikwe Ihekwezu, duke paralajmëruar se shkalla e vërtetë e shpërthimit mund të jetë dy deri në katër herë më e lartë se sa tregojnë shifrat zyrtare.
“Tetëdhjetë për qind e pacientëve të rinj vijnë nga listat e kontakteve të njohura jashtë vendit në zemër të shpërthimit në Bunia, provinca Ituri. Në zonat me më pak raste, siç është provinca e Kivu Veriore, pothuajse të gjitha rastet e reja vijnë nga listat e kontakteve, gjë që është një shenjë e njëfarë progresi “, tha Ihekwezu, sipas Reuters.
Sipas shifrave të fundit, të publikuara nga qeveria e Republikës Demokratike të Kongos të enjten, epidemia ka prekur 1,792 persona dhe ka marrë 625 jetë njerëzish.
“Vlerësimet e OBSH-së bazuar në modelim dhe shkallën e testeve pozitive tregojnë se epidemia, e cila u shpall në mesin e majit, mund të jetë midis dy dhe katër herë më e lartë se numri i rasteve të konfirmuara”, tha Ihekwezu.
Siç tha ai, sa më gjatë që pacientët qëndrojnë jashtë kujdesit shëndetësor, aq më shumë ka gjasa që ata ta transmetojnë këtë sëmundje.
“Vdekjet në komunitet mbeten gjithashtu një shqetësim i madh. Një analizë e 400 vdekjeve të para nga Ebola gjatë shpërthimit tregoi se afërsisht 70 përqind ndodhën jashtë qendrave të trajtimit”, shtoi ai.

