Nafta rritet sërish pas tensioneve SHBA-Iran, tregjet të tronditura nga luhatjet në Ngushticën e Hormuzit

Çmimet e naftës janë rritur sërish në tregjet ndërkombëtare, në një situatë të ndikuar nga tensionet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe pasiguritë në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Tregjet reaguan me rritje të reja, ku “Brent” u ngjit në 72.20 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane “West Texas Intermediate” arriti në 70.09 dollarë për fuçi. Vetëm pak ditë më parë, çmimet kishin rënë në nivelet më të ulëta që nga nisja e konfliktit.
Pavarësisht një marrëveshjeje të fundit mes dy vendeve për uljen e tensioneve dhe rihapjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, situata mbetet e paqëndrueshme. Zona, ku kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë, vazhdon të konsiderohet me rrezik të lartë për transportin detar.
Rënia e çmimeve javën e kaluar u lidh me pritshmëritë për normalizim të kalimeve të cisternave. Megjithatë, situata ndryshoi pas raportimeve për një sulm ndaj një anijeje në zonë dhe pezullimeve të disa operacioneve detare, që rritën sërish pasigurinë.
Disa anije tregtare kanë nisur të shmangin rrugën tradicionale, duke përdorur itinerare përgjatë bregdetit të Omanit për të reduktuar rrezikun.
Analistët vlerësojnë se stabilizimi i tregut të naftës nuk varet vetëm nga hapja e korridoreve detare, por edhe nga riparimi i infrastrukturës energjetike dhe rikthimi i plotë i trafikut të cisternave, proces që mund të zgjasë me muaj. Sipas vlerësimeve, çmimet mund të mbeten të luhatshme edhe për një periudhë të gjatë.


