Macron kritikon Netanyahun: Sulmet në Liban nuk i shërbejnë interesave afatgjata të Izraelit!

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të tregojë “përgjegjësi dhe racionalitet”, duke paralajmëruar se sulmet kundër Hezbollahut në jug të Libanit janë, në planin afatgjatë, në kundërshtim me interesat e Izraelit.
Në një intervistë për France 2, Macron theksoi se, megjithëse Hezbollahu përbën një kërcënim real për Izraelin, siguria e shtetit hebraik nuk mund të garantohet përmes pushtimit të territoreve fqinje.
Presidenti francez kritikoi gjithashtu politikat e qeverisë izraelite në Liban, Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke argumentuar se ato ushqejnë pakënaqësi dhe dhunë në rajon.
Macron njoftoi se do të angazhohet për të mobilizuar sërish bashkësinë ndërkombëtare me qëllim që të ndihmohet ushtria libaneze në rikthimin e kontrollit të plotë mbi territorin e vendit.
Sipas tij, një zgjidhje e qëndrueshme për sigurinë në Lindjen e Mesme kërkon stabilitet rajonal dhe forcimin e institucioneve shtetërore, jo zgjerimin e konflikteve ushtarake.

