Irani vendos kushte për Hormuzin, propozon ultimatum 30-ditor për rihapjen e ngushticës

Irani vendos kushte për Hormuzin, propozon ultimatum 30-ditor për

Një anëtar i ekipit negociator iranian, Majid Shakeri, ka folur për mundësinë e vendosjes së kushteve të reja për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.

Sipas tij, në diskutim është një propozim që parashikon rihapjen e plotë të ngushticës vetëm 30 ditë pasi të jenë larguar të gjitha kërcënimet që Teherani i lidh me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Shakeri u shpreh se administrimi i kalimit detar do të mbetet nën kontrollin iranian, ndërsa negociatat për të ardhmen e ngushticës vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

Paralelisht, autoritetet iraniane po shqyrtojnë edhe vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kreu i Departamentit të Mjedisit të Iranit, Shina Ansari, bëri të ditur se tarifat do të lidhen me shërbimet detare dhe mjedisore që ofrohen në këtë zonë strategjike.

Sipas propozimit, këto shërbime mund të përfshijnë asistencë për navigimin, operacione kërkim-shpëtimi, sigurinë e anijeve dhe mbrojtjen e mjedisit detar.

Zyrtarët iranianë vijojnë të mbajnë qëndrimin se Teherani dhe Omani kanë sovranitet mbi ngushticën. Sipas mediave iraniane, anijet që marrin leje kalimi nga Irani paguajnë aktualisht tarifa që variojnë nga 1.5 deri në 2 milionë dollarë.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur për lundrimin tregtar pa tarifa apo kufizime shtesë. E ardhmja e një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit energjetik në botë mbetet e paqartë, ndërsa palët vijojnë përplasjen diplomatike mbi kontrollin dhe përdorimin e saj.

EMISIONET