Alarm pranë Çernobilit/ Sulm me dron ndaj një objekti bërthamor vetëm 15 km nga centrali

Autoritetet ukrainase kanë raportuar një sulm me dron rus ndaj një objekti të magazinimit të karburantit bërthamor të përdorur pranë centralit bërthamor të Çernobilit.
Sipas ushtrisë ukrainase dhe agjencisë shtetërore të energjisë atomike, sulmi ka shkaktuar dëmtime në një ndërtesë magazinimi, por në momentin e goditjes aty nuk ndodhej karburant bërthamor i përdorur.
Pas sulmit shpërtheu një zjarr, i cili u vu nën kontroll nga ekipet e emergjencës. Deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa nivelet e rrezatimit në zonë mbeten brenda kufijve normalë.
Objekti i goditur ndodhet rreth 15 kilometra larg centralit bërthamor të Çernobilit. Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar incidentin si një tjetër rrezik për sigurinë bërthamore në vend.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, akuzoi Rusinë për krijimin e kërcënimeve të vazhdueshme ndaj objekteve bërthamore ukrainase, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky e konsideroi sulmin të panevojshëm.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar se është informuar për incidentin dhe se dëmet në objekt janë të konsiderueshme. Sipas agjencisë, vala goditëse ka prekur edhe ndërtesa të tjera në afërsi.
IAEA njoftoi se një ekip ekspertësh do të vizitojë objektin për të vlerësuar situatën dhe dëmet e shkaktuara. Nga ana tjetër, Rusia nuk ka reaguar ende për ngjarjen.


