Irani vendos kusht për marrëveshjen me SHBA, kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Libani

Irani ka vendosur si kusht për një marrëveshje përfundimtare me Shtetet e Bashkuara tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Libani, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për stabilizimin e rajonit.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, largimi i ushtrisë izraelite nga të gjitha zonat e pushtuara në Liban duhet të jetë pjesë e marrëveshjes.
Teherani kërkon gjithashtu zbatimin e plotë të memorandumit të mirëkuptimit, i cili parashikon ndalimin e luftës dhe të operacioneve ushtarake izraelite kundër Libanit.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka bërë të ditur se synimi është përfundimi i konfliktit në Liban, kthimi i personave të zhvendosur dhe tërheqja e forcave izraelite nga territori libanez.
Nga ana tjetër, Izraeli vijon të kundërshtojë largimin e trupave nga Libani jugor, me argumentin se prania e Hezbollahut përbën ende një rrezik për komunitetet në veri të vendit.
Ndërkohë, Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një proces gradual, sipas të cilit ushtria libaneze do të marrë kontrollin e zonave në jug të vendit. Deri tani, ushtria e Libanit nuk ka arritur të çarmatosë Hezbollahun ose të largojë luftëtarët e tij nga rajoni.


