Maturantët e Elbasanit thyejnë traditën, heqin dorë nga luksi për një mbrëmje në Dhërmi

Një grup maturantësh nga Elbasani ka zgjedhur të thyejë traditën e zakonshme të mbrëmjes së maturës, duke hequr dorë nga luksi dhe shpenzimet e larta për një festë më të thjeshtë dhe natyrale.

Në vend të makinave të shtrenjta me qira dhe organizimeve të kushtueshme, nxënësit e shkollës me inicialet “NK” vendosën ta zhvillojnë mbrëmjen e maturës në Dhërmi, buzë detit.

Në studion e Ora News, mësuesja Adelina Deda u shpreh se qëllimi ishte të shmangnin presionin financiar që shpesh rëndon familjet dhe të krijonin një atmosferë më të lirë dhe autentike.

“Shpenzimet e mëdha për të rënduar nxënësit e për familjarët, me zor ia dalin edhe në fund të muajit.”-tha ajo.

Dekori i mbrëmjes u ndërtua rreth një simbolike të veçantë, limonit. Zgjedhja lidhet me pemët e limonit që ndodhen në oborrin e shkollës dhe që i kanë shoqëruar gjatë viteve të gjimnazit.

Edhe veshjet ishin të thjeshta, me material lino, ndërsa nxënësit kanë hequr dorë nga përgatitjet estetike të zakonshme, duke preferuar një stil natyral.

“Vendosëm që ta kalonim këtë mbrëmje në jugun e Shqipërisë, në Dhërmi, për të qenë më të lirë dhe më vetvetja.”-u shpreh ajo.

Pas darkës, festa ka vijuar buzë detit, ku nxënësit janë mbledhur mbi shilte dhe kanë ndezur qirinj që formonin inicialet e shkollës së tyre.

Zgjedhja e tyre është kthyer në një shembull të një mënyre ndryshe festimi, ku thjeshtësia dhe ideja kanë zëvendësuar shpenzimet e mëdha dhe luksin e zakonshëm të mbrëmjeve të maturës.

 

EMISIONET