Vala e të nxehtit në Gjermani mbingarkon spitalet, rreziku rritet për pacientët

Vala e të nxehtit në Gjermani mbingarkon spitalet, rreziku rritet

Gjermania po përballet me një valë të fortë të të nxehtit që ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve që përfundojnë në spitale, duke vënë në provë kapacitetet e sistemit shëndetësor.

Në disa spitale të mëdha, si Spitali Universitar Hamburg-Eppendorf, janë marrë masa për të përballuar temperaturat e larta, përfshirë hapësira të gjelbra, pemë dhe struktura që ndihmojnë në uljen e nxehtësisë përreth godinave.

Megjithatë, një pjesë e madhe e spitaleve në vend mbeten të papërgatitura për situata të tilla. Sipas të dhënave, rreth 60% e tyre nuk kanë përmirësuar masat e mbrojtjes nga nxehtësia vitet e fundit, kryesisht për shkak të mungesës së fondeve.

Ekspertët e sistemit shëndetësor paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda, duke rritur rrezikun për pacientët, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rasteve në urgjencë dhe shtojnë ngarkesën në spitale, të cilat shpesh nuk kanë sisteme të mjaftueshme ftohjeje në të gjitha pavijonet.

Në shumë raste, prioritetet financiare janë fokusuar te pajisjet mjekësore dhe nevojat emergjente, duke lënë në plan të dytë investimet për përshtatjen ndaj klimës.

Shoqata gjermane e spitaleve ka kërkuar një plan afatgjatë investimesh për modernizimin e infrastrukturës, përfshirë sistemet e ftohjes dhe mbrojtjes nga nxehtësia.

Sipas ekspertëve, pa këto investime, spitalet rrezikojnë të përballen me vështirësi serioze gjatë valëve të ardhshme të të nxehtit, kur kërkesa për trajtim mjekësor pritet të rritet edhe më tej.

EMISIONET