Nga maturë në 'spektakël' luksi, Jaupbashi: Modeli vjen nga shoqëria, jo nga fëmijët

Fenomeni i maturave të shndërruara në evente luksi dhe ekspozimi të tepruar po ngjall gjithnjë e më shumë debat në shoqëri.

Nga festat tradicionale të përfundimit të shkollës, mbrëmjet e maturës janë kthyer në evente të shtrenjta, ku shpesh vëmendja zhvendoset te dukja, makinat luksoze dhe prezantimi në rrjetet sociale.

Në disa raste ekstreme, raportohen edhe hyrje me automjete brenda ambienteve të restoranteve, si dhe organizime të ngjashme edhe në mini-matura me fëmijë të moshave të vogla.

Në një lidhje direkte për Ora News, psikologia Sonila Jaupbashi u shpreh se ky ndryshim nuk lidhet me vetë nxënësit, por me modelet që ata ndjekin në përditshmëri.

“Problemi nuk janë fëmijët. Problemi është modeli që u japim. Ata thjesht imitojnë atë që shohin çdo ditë në shoqëri dhe në familje.”-tha Jaupbashi.

Ajo shton se adoleshenca është një periudhë delikate, ku ndikimi i grupit shoqëror dhe nevoja për pranim luajnë rol të madh në sjelljen e të rinjve.

“Kalimi nga një festë e thjeshtë në një performancë luksi është reflektim i asaj që shohim në rrjetet sociale dhe në jetën e përditshme. Modeli vjen nga të rriturit.”-u shpreh ajo.

Sipas saj, rrjetet sociale e kanë përforcuar këtë trend, duke e kthyer mbrëmjen e maturës në një “skenë” ku rëndësi ka më shumë pamja sesa përmbajtja e festës.

Jaupbashi nënvizon se familja mbetet hallka kryesore në formësimin e këtyre sjelljeve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë suksesin dhe festimin e tij.

 

EMISIONET