Më të vjetër se dinosaurët dhe më të zgjuar nga sa mendonim: Ja 9 sekretet tronditëse të peshkaqenëve

Peshkaqenët, të konsideruar prej kohësh si grabitqarë të pamëshirshëm të oqeaneve, rezultojnë të jenë shumë më kompleksë dhe inteligjentë nga sa është menduar. Këto krijesa kanë mbijetuar për qindra miliona vite, duke kaluar edhe katastrofat më të mëdha që ka njohur Toka dhe sot vazhdojnë të fshehin aftësi mahnitëse.
Këta predatorë të lashtë kanë mbijetuar të pesë zhdukjet masive të planetit, përfshirë edhe “Vdekjen e Madhe”, ngjarjen më shkatërruese në historinë e Tokës, që zhduku rreth 90% të jetës detare. Pas miliona vitesh evolucioni, peshkaqenët kanë zhvilluar karakteristika që sfidojnë imazhin klasik të tyre si “makina gjuetie”.
Peshkaqenët dinë të bëjnë matematikë
Studimet shkencore kanë treguar se këta grabitqarë nuk udhëhiqen vetëm nga instinkti. Ata mund të dallojnë forma, modele dhe sasi të ndryshme. Në eksperimente, disa specie kanë arritur të bëjnë dallimin mes numrave të ndryshëm, si tre dhe pesë, duke treguar aftësi të jashtëzakonshme të të mësuarit.
Ata kanë edhe një preferencë muzikore: xhazin
Një studim me peshkaqenët Port Jackson zbuloi se këto kafshë mund të krijojnë lidhje mes muzikës dhe shpërblimeve. Ata reaguan më mirë ndaj ritmeve të xhazit sesa ndaj muzikës klasike, duke habitur studiuesit me aftësinë e tyre për të mësuar modele tingujsh.
Edhe peshkaqenët kanë “kërthizë”
Disa specie, si peshkaqeni dem dhe ai çekiç, i zhvillojnë të vegjlit në mitër dhe i ushqejnë përmes një kordoni kërthizor, ngjashëm me gjitarët. Për këtë arsye, këlyshët mund të kenë një shenjë të ngjashme me kërthizën pas lindjes.
Në barkun e nënës nis lufta për mbijetesë
Tek peshkaqenët tigër të rërës, mbijetesa fillon që para lindjes. Embrionet luftojnë me njëri-tjetrin dhe shpesh vetëm një prej tyre mbijeton, pasi ushqehet me vëllezërit dhe motrat e tij në mitër.
Peshkaqenët kanë miqësi afatgjata
Ndryshe nga ideja se janë krijesa të vetmuara, disa specie krijojnë lidhje sociale. Peshkaqenët gri të shkëmbinjve mund të qëndrojnë me të njëjtat grupe për vite, ndërsa edhe peshkaqenët e bardhë janë vëzhguar duke udhëtuar së bashku mijëra kilometra.
Lëkura e tyre është e mbuluar me “dhëmbëza” mikroskopikë
Lëkura e peshkaqenëve nuk ka luspa si peshqit e tjerë, por është e mbuluar me struktura të vogla të ngjashme me dhëmbë, që i ndihmojnë të lëvizin me shpejtësi në ujë duke ulur rezistencën.
Mund të ndiejnë rrahjet e zemrës së një kafshe
Peshkaqenët kanë një sistem shqisor të jashtëzakonshëm. Ata mund të dallojnë ndryshime në presion, dridhje dhe fusha elektrike të krijuara nga muskujt dhe zemra e gjallesave të tjera, madje edhe në errësirë të plotë.
Janë më të vjetër se pemët dhe unazat e Saturnit
Historia e peshkaqenëve shkon rreth 450 milionë vite pas. Ata janë më të vjetër se pemët, dinosaurët dhe vetë unazat e Saturnit. Sot ekzistojnë rreth 500 specie peshkaqenësh, dëshmi e një evolucioni që ka kaluar epoka të tëra.
Pavarësisht frikës që ngjallin, peshkaqenët mbeten ndër krijesat më të jashtëzakonshme të planetit, duke treguar se oqeanet ende ruajnë shumë mistere për t’u zbuluar./përshtatur nga BBC

