Hormuzi mbetet i bllokuar, Irani paralajmëron mbylljen e një tjetër arterie të tregtisë botërore

Hormuzi mbetet i bllokuar, Irani paralajmëron mbylljen e një

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar më tej pas kërcënimit të Gardës Revolucionare Islamike për të mbyllur edhe korridore të tjera strategjike të eksportit të energjisë, përveç Ngushticës së Hormuzit. Teherani paralajmëron se nëse furnizimet iraniane pengohen, edhe rrugët e tjera të naftës dhe gazit mund të preken.

Në një mesazh të transmetuar nga agjencia shtetërore iraniane IRNA, Garda Revolucionare bëri të ditur se eksportet energjetike të rajonit “ose do të jenë të disponueshme për të gjithë, ose për askënd”. Kërcënimi vjen në një moment kur Ngushtica e Hormuzit, një nga kalimet më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit, është përfshirë në përplasjen mes dy vendeve.

Teherani paralajmëron për një front të ri
Pas Hormuzit, vëmendja është përqendruar te Ngushtica Bab el-Mandab, një tjetër pikë kyçe e tregtisë globale që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.

Analistët vlerësojnë se deklaratat e Iranit mund të lidhen me mundësinë e përfshirjes së aleatëve të tij, përfshirë rebelët Huthi në Jemen, në përpjekje për të kufizuar qarkullimin detar në këtë zonë.

Bab el-Mandab është një nga korridoret më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar, ku kalojnë çdo vit sasi të mëdha nafte dhe miliona tonë mallra.

Një zyrtar i lartë i Huthëve ka paralajmëruar se grupi mund të ndërmarrë hapa kundër kësaj rruge detare nëse Arabia Saudite vijon operacionet ushtarake në Jemen. Sipas tij, një krizë e tillë mund të ndikojë edhe në çmimet e naftës.

SHBA godet objektiva në Iran
Kërcënimet e reja nga Teherani vijnë pas sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane pranë zonave bregdetare dhe Ngushticës së Hormuzit.

Ushtria amerikane ka bërë të ditur se operacionet kishin në shënjestër kapacitete ushtarake, sisteme raketore dhe mjete detare që, sipas Uashingtonit, janë përdorur për sulme ndaj anijeve tregtare.

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Irani ka goditur disa anije tregtare gjatë ditëve të fundit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur mes ekuipazheve.

Nga ana tjetër, Teherani ka njoftuar për sulme ndaj disa bazave amerikane në rajon, përfshirë objektiva në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani. Autoritetet jordaneze kanë bërë të ditur se kanë rrëzuar disa raketa që hynë në hapësirën e tyre ajrore.

Trump kërcënon objektivat energjetike iraniane
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të godasë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse Teherani nuk rikthehet në negociata.

Ai ka bërë të ditur se objektivat energjetike do të jenë pjesë e një faze të mëvonshme të operacioneve, nëse konflikti vazhdon.

Përshkallëzimi i ri ka rritur shqetësimet në tregjet ndërkombëtare. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë jetike për ekonominë botërore, pasi përmes saj kalon rreth një pjesë e madhe e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

Çdo ndërprerje e gjatë e transportit në këtë zonë mund të sjellë pasoja për çmimet e energjisë dhe tregjet globale.

EMISIONET