Helikopteri zjarrfikës bie në liqenin e Aoos në Greqi/ Publikohen pamjet e reja dramatike të aksidentit, piloti noton në ujë dhe kontrollon Bell-in e zhytur

Janë publikuar pamje të reja që tregojnë momentet dramatike pas rrëzimit të një helikopteri zjarrfikës në liqenin artificial të Aoos në Metsovo, në Greqi, gjatë një operacioni për shuarjen e zjarreve në zonën e Grevenës.
Në video shihet një nga pilotët që ndodhet në ujë, pranë trupit të helikopterit të fundosur, i cili dallon qartë nën sipërfaqen e liqenit. Pas disa sekondash, ai del në sipërfaqe dhe qëndron me ujë deri në gjoks, ndërsa vëzhgon mjetin ajror të tipit Bell të zhytur në ujë.
Pamjet vijnë pas një videoje tjetër që ka qarkulluar më herët në rrjet, ku shihet momenti i humbjes së kontrollit të helikopterit gjatë marrjes së ujit nga liqeni për operacionet e fikjes së zjarrit. Në momentin kur mjeti tenton të fitojë lartësi, pjesa e bishtit prek sipërfaqen e ujit, duke shkaktuar humbjen e stabilitetit dhe rrëzimin e tij në liqen. Më pas, sipas pamjeve, helikopteri përfshihet nga flakët dhe fundoset.
Dy pilotët arritën të dalin nga mjeti dhe të notojnë deri në breg të liqenit, ku u ndihmuan nga një varkë dhe më pas u transportuan me ambulancë drejt spitalit të Janinës për kontrolle mjekësore.
Një dëshmitar okular që ka filmuar incidentin ka rrëfyer momentet e para të ngjarjes, duke thënë se helikopteri dukej se kishte vështirësi në ngritje gjatë marrjes së ujit. Sipas tij, mjeti “nuk po arrinte të fitonte lartësi” përpara se të ndodhte përplasja me sipërfaqen e ujit.
“Diçka nuk shkon, nuk mund të fitojë lartësi,” ka treguar dëshmitari, duke përshkruar edhe momentin kur helikopteri humbi kontrollin dhe u përmbys në ujë.
Ai shtoi se pas rrëzimit, banorët dhe dëshmitarët u përpoqën të ndihmonin dhe njoftuan menjëherë autoritetet, të cilat mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash së bashku me forcat zjarrfikëse dhe policinë.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa incidenti ka rikthyer në vëmendje rreziqet e operacioneve ajrore gjatë shuarjes së zjarreve në zona të vështira.


