Turqia e mbyll me fitore prestigji Botërorin, surprizon SHBA-në me gol në minutën e 98-të

Turqia i dha fund aventurës së saj në Kupën e Botës 2026 me një fitore spektakolare 3-2 ndaj bashkëorganizatorëve të SHBA-së, duke vendosur rezultatin me goditjen e fundit të ndeshjes në “SoFi Stadium”.
Edhe pse gjithçka ishte vendosur përpara sfidës, SHBA-ja e kishte siguruar vendin e parë në grup, ndërsa Turqia ishte eliminuar, të dyja skuadrat dhuruan një ndeshje plot ritëm dhe emocione.
Amerikanët kaluan në avantazh që në minutën e 3-të me Austin Trusty. Gëzimi i vendasve zgjati pak, pasi Arda Güler barazoi shpejt me një finalizim nga afër, duke shënuar golin e parë të Turqisë në këtë Botëror.
Në minutën e 30-të, Westin McKennie dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Vetëm një minutë më pas, Orkun Kökçü përfitoi nga një aksion i bukur kolektiv dhe Yilmaz përmbysi rezultatin në 2-1 për Turqinë.
SHBA reagoi menjëherë pas pushimit. Në minutën e 49-të, Sebastian Berhalter shfrytëzoi një largim të dobët të mbrojtjes turke dhe barazoi shifrat në 2-2 me golin e tij të parë me fanellën e kombëtares.
Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Turqia goditi në minutën e 98-të. Kaan Ayhan ishte më i shpejti në zonë dhe shtyu topin në rrjetë nga afër, duke i dhënë ekipit të tij një fitore prestigjioze.
Pavarësisht humbjes së parë në turne, SHBA e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë dhe tashmë do të përballet me Bosnje-Hercegovinën në raundin e 32 skuadrave.
Nga ana tjetër, Turqia largohet nga Botërori, duke regjistruar fitoren e saj të parë në një Kupë Bote që nga rikthimi pas 24 vitesh.
Rezultati: Turqi 3-2 SHBA
Güler 10’, Yilmaz 31’, Ayhan 90+8’ / Trusty 3’, Berhalter 49’

