Rekorde historike të temperaturave në Evropë, shkencëtarët: Nxehtësia ekstreme e shkaktuar nga njeriu

Rekorde historike të temperaturave në Evropë,

Një valë rekord e të nxehtit që ka përfshirë Evropën këtë qershor do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” disa dekada më parë, sipas një analize të re shkencore, e cila thekson se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu janë “qartësisht përgjegjëse” për intensitetin e fenomenit.

Studimi i publikuar nga World Weather Attribution (WWA), një rrjet ndërkombëtar shkencëtarësh që analizon rolin e ndryshimeve klimatike në ngjarjet ekstreme, e cilëson këtë valë të të nxehtit si “më të rëndën e regjistruar ndonjëherë në rajon”.

Sipas raportit, temperaturat ekstreme që kanë goditur vende të ndryshme evropiane, përfshirë Francën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicrën, kanë thyer rekorde historike brenda vetëm pak ditësh. Në disa raste, rekordet janë tejkaluar dy herë brenda 24 orëve, duke e bërë situatën edhe më të pazakontë.

Shkencëtarët e WWA analizuan të dhënat klimatike të tre ditëve dhe netëve më të nxehta të valës së të nxehtit, duke i krahasuar ato me periudha të mëparshme si 1976 dhe 2003. Ata arritën në përfundimin se ngjarje të tilla ekstreme do të kishin qenë “pothuajse të pamundura” 50 vjet më parë.

Sipas tyre, planeti është ngrohur me rreth 1.1°C gjatë pesë dekadave të fundit, gjë që ka rritur ndjeshëm probabilitetin dhe intensitetin e valëve të të nxehtit. Në disa raste, një valë e ngjashme me atë të vitit 1976 do të ishte sot rreth 3.5°C më e nxehtë.

Raporti thekson gjithashtu se temperaturat e larta gjatë natës po rezultojnë veçanërisht të rrezikshme, pasi trupit të njeriut i mungon koha për t’u rikuperuar nga stresi termik. Sipas gjetjeve, nxehtësia e natës në Evropë është rreth 100 herë më e mundshme sot sesa në vitin 2003.

Në 854 qytete të analizuara në 30 vende evropiane, 45% kanë regjistruar ose janë pranë thyerjes së rekordeve të temperaturës së “globit të lagësht”, një tregues që kombinon nxehtësinë, lagështinë dhe faktorë të tjerë klimatikë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut.

Ekspertët paralajmërojnë se Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, po përballet me valë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda të të nxehtit, ndërsa efektet tashmë po ndihen në jetën e përditshme, mbyllje shkollash, ndërprerje transporti, probleme energjetike dhe rritje të rasteve fatale.

Sipas të dhënave paraprake, qindra vdekje janë raportuar tashmë në disa vende, përfshirë mbi 200 në Spanjë brenda pak ditësh dhe dhjetëra në Francë, ndërsa autoritetet presin që shifrat të rriten.

Shkencëtarët theksojnë se pa një reduktim të shpejtë të emetimeve të lëndëve djegëse fosile, ngjarje të tilla ekstreme do të bëhen edhe më të shpeshta dhe më të rrezikshme në të ardhmen.

“Është çështje se çfarë lloj të ardhmeje duam të kemi,” tha studiuesja Friederike Otto, duke theksuar urgjencën e veprimit global për klimën.

EMISIONET