Falimentimet e bizneseve në Gjermani thyejnë REKORDIN, rrezikohen 170 mijë vende pune

Falimentimet e bizneseve në Gjermani thyejnë REKORDIN, rrezikohen 170

Falimentimet e bizneseve në Gjermani kanë arritur nivelin më të lartë në gati dy dekada.

Gjatë vitit të kaluar, 17.605 kompani shpallën falimentin, shifra më e lartë që nga viti 2005, duke ndikuar drejtpërdrejt në rreth 170 mijë vende pune.

Sipas një raporti të Institutit Halle për Kërkime Ekonomike (IWH), vetëm në muajin dhjetor u regjistruan 1.519 kërkesa për falimentim nga kompani dhe partneritete, një rritje prej 17 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Raporti thekson se numri i falimentimeve në dhjetor ishte 75 për qind më i lartë se mesatarja e regjistruar në muajin dhjetor gjatë periudhës 2016–2019, pra para pandemisë COVID-19.

Instituti vëren gjithashtu se edhe gjatë krizës globale financiare të vitit 2009, niveli i falimentimeve ishte rreth 5 për qind më i ulët se aktualisht.

Ekonomia gjermane vazhdon të mbetet e brishtë, veçanërisht për shkak të dobësisë së vazhdueshme në sektorin e prodhimit, i cili ka një peshë më të madhe në Gjermani sesa në vendet e tjera evropiane.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia e vendit u tkurr me 0,2 për qind në tremujorin e dytë, pas një rritjeje prej 0,3 për qind në tremujorin e parë.

Në tremujorin e tretë, Gjermania arriti të shmangë ngushtë hyrjen në një recesion teknik, me rritje ekonomike të raportuar në 0 për qind.

Ekspertët theksojnë se kostot e larta të energjisë, porositë e dobëta nga tregjet globale dhe tarifat e larta amerikane po vazhdojnë të ushtrojnë presion të fortë mbi ekonominë gjermane, duke rritur pasigurinë për bizneset dhe tregun e punës.

EMISIONET