Çekia propozon ndalimin e telefonave celularë në shkolla nga viti 2027!

Çekia propozon ndalimin e telefonave celularë në shkolla nga

Qeveria çeke ka paraqitur një projektligj që parashikon ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkolla duke nisur nga shtatori i vitit 2027. Lajmi u bë i ditur të hënën nga kryeministri çek, Andrej Babiš, ndërsa vendi i bashkohet një prirjeje ndërkombëtare për kufizimin e kohës që fëmijët kalojnë para ekraneve gjatë procesit mësimor.

Sipas projektligjit, ndalimi do të zbatohet jo vetëm gjatë zhvillimit të mësimit, por edhe gjatë pushimeve mes orëve. Përjashtime do të ketë vetëm për arsye shëndetësore ose kur përdorimi i telefonit lejohet nga shkolla për qëllime edukative.

“Shkollat nuk do të jenë në gjendje t’u lejojnë nxënësve përdorimin e telefonave celularë gjatë pushimeve, përveç rasteve të parashikuara”, thuhet në projektligj.

Nisma vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po marrin masa për të kufizuar përdorimin e telefonave inteligjentë dhe mediave sociale nga fëmijët. Së fundmi, Polonia iu bashkua vendeve si Holanda, Koreja e Jugut dhe Italia në ndalimin e telefonave inteligjentë në shkolla për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e tyre në përqendrim dhe sjelljen e nxënësve.

Ndërkohë, kryeministri Babiš bëri të ditur se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e vendosjes së kufizimeve për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, duke ndjekur shembullin e Franca dhe vendeve të tjera që kanë ashpërsuar politikat në këtë drejtim.

EMISIONET