DEBATE PËR BUXHETIN NË BE! Liderët evropianë debatojnë për financat e ardhshme të Unionit

Liderët e BE-së po përballen me mosmarrëveshje të thella për buxhetin 2028–2034 dhe mënyrën e financimit të tij. Vendet kontribuuese kërkojnë ulje shpenzimesh, ndërsa përfituesit kërkojnë më shumë fonde për bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.

DEBATE PËR BUXHETIN NË BE! Liderët evropianë debatojnë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të përballen me mosmarrëveshje të forta lidhur me buxhetin shumëvjeçar të unionit për periudhën 2028–2034.

Debati zhvillohet pasi si vendet kontribuuese neto, ashtu edhe ato përfituese, kanë shprehur kundërshtime ndaj propozimit fillestar të Komisionit Evropian.

Komisioni ka propozuar një buxhet prej 2 trilionë eurosh, i cili do të financojë politikat kryesore të BE-së, duke përfshirë mbështetjen për bujqësinë, zhvillimin teknologjik, programet arsimore dhe fondet e kohezionit për rajonet më pak të zhvilluara.

Megjithatë, kompromisi i parë i paraqitur nga presidenca qipriote e BE-së parashikon një ulje prej 2 për qind të shumës së propozuar.

Ky variant nuk ka kënaqur asnjërën palë. Gjermania, kontribuuesja më e madhe neto në buxhet, e konsideron shumën ende tepër të lartë. Kancelari Friedrich Merz kërkoi ulje të mëtejshme të shpenzimeve dhe kundërshtoi çdo mundësi të rritjes së borxhit të përbashkët evropian.

Nga ana tjetër, Spanja argumenton se fondet e propozuara janë të pamjaftueshme, sidomos për bujqësinë dhe politikat e kohezionit, duke theksuar ndikimin e inflacionit. Edhe Holanda ka kritikuar projektin, duke kërkuar më shumë investime në siguri, mbrojtje dhe modernizim ekonomik.

Për të lehtësuar barrën mbi buxhetet kombëtare, në diskutim janë disa burime të reja të ardhurash për BE-në.

Mes tyre përfshihen një pjesë e të ardhurave nga tregtimi i kuotave të emetimeve të karbonit, taksa mbi mallrat e importuara nga vende me standarde më të ulëta klimatike, si dhe tarifa të mundshme mbi mbetjet elektronike, shërbimet digjitale, lojërat online dhe fitimet nga asetet kripto.

Sipas afateve ligjore, marrëveshja duhet të arrihet deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në disa shtete anëtare, liderët evropianë synojnë të gjejnë një kompromis deri në fund të këtij viti.

EMISIONET