BURNHAM PËRGATIT QEVERINË E RE/ Kabineti shpallet të hënën, kujdesi social dhe decentralizimi në krye të axhendës

Andy Burnham është drejt marrjes zyrtare të detyrës si kryeministër i Britanisë së Madhe, ndërsa ka bërë të ditur se përbërja e kabinetit të ri qeveritar do të shpallet të hënën, pas takimit me Mbretin Charles III.
Lideri i ri i Partisë Laburiste tha se nuk dëshiron të publikojë emra para marrjes së mandatit, duke argumentuar se një veprim i tillë do të krijonte konfuzion dhe paqartësi në procesin e formimit të qeverisë.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te posti i ministrit të Financave. Mediat britanike përmendin Ed Miliband dhe Shabana Mahmood si dy kandidatët kryesorë për të drejtuar Thesarin, pas largimit të Rachel Reeves.
Burnham u zgjodh në krye të Laburistëve pasi siguroi mbështetjen e 379 deputetëve dhe organizatave të lidhura me partinë, duke pasuar Keir Starmerin në drejtimin e forcës politike.
Në fjalimin e tij të parë si lider, ai premtoi një kabinet gjithëpërfshirës që do të përfaqësojë të gjitha rrymat e Partisë Laburiste. Burnham bëri thirrje për unitet, duke paralajmëruar se përçarjet e brendshme do ta dobësonin partinë përballë rritjes së ndikimit të Reform UK.
Reforma e sistemit të kujdesit social është vendosur në krye të prioriteteve të qeverisë së re. Burnham e cilësoi modelin aktual si të dështuar dhe premtoi ndryshime të thella për të garantuar financim më të qëndrueshëm dhe shërbime më cilësore për qytetarët.
Në programin e tij qeverisës përfshihen gjithashtu decentralizimi i pushtetit, transferimi i më shumë kompetencave drejt rajoneve, nxitja e riindustrializimit dhe mbështetja për komunitetet punëtore në të gjithë vendin.
Ndërkohë, lideri i Reform UK, Nigel Farage, kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme, duke argumentuar se Burnham nuk ka një mandat të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Nga ana tjetër, kreu i Liberal Demokratëve, Ed Davey, u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë e re për reformat në shëndetësi, kujdesin social dhe sektorin e ujit.

