BRENDA RRJETIT TË EPSTEIN/ Ish-asistentja zbulon skemën e kontrollit psikologjik, abuzimit se*sual dhe rekrutimit të vi*timave

BRENDA RRJETIT TË EPSTEIN/ Ish-asistentja zbulon skemën e kontrollit

Një ish-asistente e financierit amerikan Jeffrey Epstein ka rrëfyer detaje tronditëse mbi mënyrën se si funksiononte sistemi i kontrollit dhe abuzimit që ai kishte ndërtuar për vite me radhë. Sipas dëshmisë së saj, gratë josheshin fillimisht me oferta pune dhe premtime për karrierë, por më pas izoloheshin, bëheshin financiarisht të varura dhe përfundonin nën kontrollin e plotë të Epstein.

Gruaja, e identifikuar me emrin e ndryshuar Anya, deklaroi se ishte njohur me Epstein përmes një ndërmjetësi në industrinë e modës, i cili i kishte premtuar mundësi profesionale. Megjithatë, ajo pretendon se këto premtime ishin pjesë e një skeme të mirëorganizuar për ta afruar pranë financierit dhe për ta bërë të varur prej tij.

Sipas rrëfimit, Epstein kishte ngritur një sistem që funksiononte si një kult. Një grup asistentesh jetonin në banesa të kontrolluara prej tij, ishin në dispozicion 24 orë në ditë dhe, sipas saj, përballeshin me abuzim seksual dhe kontroll të vazhdueshëm.

Anya tregon se Epstein kontrollonte financat, lëvizjet, kontaktet dhe madje edhe kujdesin shëndetësor të grave që ndodheshin pranë tij. Ajo pretendon se ai përdorte varësinë ekonomike, kërcënimet dhe materiale komprometuese për t'i penguar ato të largoheshin.

Një tjetër element i rëndë i dëshmisë është pretendimi se gratë detyroheshin të rekrutonin viktima të tjera, duke u kthyer njëkohësisht në viktima dhe pjesë të mekanizmit të ngritur prej financierit amerikan.

Rrëfimi i Anyas përputhet edhe me dëshmi të tjera të bëra publike në Shtetet e Bashkuara. Ish-asistentja Sarah Kellen ka deklaruar më herët para ligjvënësve amerikanë se Epstein përdorte manipulimin psikologjik për t'u hequr viktimave aftësinë për të marrë vendime të pavarura dhe për t'i bërë ato gjithnjë e më të varura prej tij.

Anya shprehet se vendosi të flasë publikisht për të treguar se manipulimi dhe kontrolli psikologjik mund të ushtrohen jo vetëm ndaj të miturve, por edhe ndaj grave të rritura, duke i futur gradualisht në një cikël varësie dhe abuzimi.

EMISIONET