Biden nis turin 8 ditor në Europë, takime me aleatët dhe Putinin

Biden nis turin 8 ditor në Europë,  takime me aleatët dhe Putinin

Presidenti Joe Bidn  e ka nisur turin e tij 8-ditor në Europë me një synim: të flasë për demokraci dhe kundër autokracive nëpër botë.

Të mërkurën, kryeshtetari i Amerikës zbarkoi në Britaninë e Madhe, aty ku do takojë kryeministrin Boris Xhonson dhe mbretëreshën Elizabeta e Dytë në kuadër të samitit të vendeve të G7-ës.

Ndalesa e tij parë ishte te baza ajrore "Mildenholl" ku përshëndeti ushtarët amerikanë dhe u kujtoi se është krenar për shtetin që ai përfaqëson.

"Shtetet e Bashkuara e kanë rimarrë vendin e tyre dhe demokracitë nëpër botë janë bërë bashkë për të trajtuar sfidat dhe problemet më të vështira që kanë rëndësi për të ardhmen. Zotohemi se do të udhëheqim me forcë, do të mbrojmë vlerat se u interesojnë popujve tanë."

Kjo është hera e parë që presidenti Biden viziton Europën pas marrjes së detyrës.\

Takimet e G7-ës ku ai do të marrë pjesë të premten parashikojnë një axhendë të ngjeshur por të fokusuar më së shumti te pandemia e koronavirusit, kriza klimatike dhe tregtia.

Por është samiti i 16 qershorit që e përmbyll turin e Biden-it dhe do e vërë atë përballë homologut rus, Vladimir Putin, të cilin ai thotë se ka disa mesazhe për t'i dhënë.

"...Nuk duam konflikte me Rusinë. Duam një marrëdhënie të qëndrueshme, të parashikueshme. Por SHBA-ja do të përgjigjet prerë nëse qeveria ruse angazhohet në veprimtari të dëmshme. Do them se ka për të pasur pasojat nëse shkelet sovraniteti i demokracive, në SHBA, në Europë dhe kudo," u tha presidenti Biden.

Ende nuk është konfirmuar a do të ketë një konferencë të përbashkët pas takimit mes dy presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë.

 

EMISIONET