Anijet “zhduken” nga radarët në Hormuz, raporti zbulon rolin e ushtrisë amerikane në operacionet detare

SHBA po ndihmon anijet cisternë që transportojnë naftë të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa tensionet me Iranin vazhdojnë dhe ende nuk ka një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës në rajon.
Sipas një raporti të Wall Street Journal, disa anije të mëdha po përdorin masa të veçanta sigurie gjatë kalimit në këtë korridor detar strategjik.
Ato fikin sistemet e gjurmimit, lundrojnë gjatë natës dhe shmangin përdorimin e dritave të jashtme për të reduktuar mundësinë e zbulimit.
Raporti bën të ditur se këto masa synojnë t’i bëjnë anijet më pak të ekspozuara ndaj kërcënimeve ose sulmeve të mundshme nga Irani.
Pronarë të disa anijeve kanë bërë me dije se gjatë tranzitit kanë qëndruar në kontakt me zyrtarë ushtarakë amerikanë.
Sipas të njëjtave burime, forcat amerikane po monitorojnë vazhdimisht trafikun detar në zonë përmes radarëve, dronëve dhe mjeteve të tjera të vëzhgimit.
SHBA po u ofron gjithashtu udhëzime kapitenëve të anijeve për momentet kur duhet të ndalojnë transmetimet elektronike dhe për mënyrën si duhet të reagojnë në rast të një kërcënimi.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë dhe çdo përshkallëzim i tensioneve në këtë zonë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.


