Sulm kibernetik ndaj Britanisë/ Hakerë të dyshuar rusë komprometojnë të dhëna të Ministrisë së Jashtme

Një sulm i sofistikuar kibernetik ka alarmuar autoritetet britanike, pasi hakerë të dyshuar rusë dyshohet se kanë arritur të marrin akses në llogari elektronike të zyrtarëve qeveritarë dhe punonjësve të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Sulmi, i identifikuar nga ekspertët e sigurisë kibernetike me emrin “FortiBleed”, ka shfrytëzuar një dobësi në pajisjet e sigurisë të kompanisë Fortinet, duke prekur dhjetëra mijëra sisteme mbrojtëse në mbarë botën.
Sipas hetimeve, sulmuesit kanë përdorur kredenciale të vjedhura më herët për të depërtuar në sisteme të ndjeshme, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare britanike.
Një listë e siguruar nga “The Telegraph” tregon se mes të dhënave të komprometuara ndodhen email-e dhe fjalëkalime të stafit të Ministrisë së Jashtme britanike, punonjësve të ambasadave në Tajlandë dhe Mauritius, si edhe zyrtarëve lokalë në disa zona të vendit.
Kredencialet e vjedhura raportohet se janë ofruar për shitje në forumet e “dark web”, ku disa prej tyre kanë arritur vlera deri në dhjetëra mijëra paund, duke rritur rrezikun që ato të përdoren për sulme të tjera ndaj institucioneve shtetërore.
Përveç strukturave qeveritare, shqetësimet janë përhapur edhe te infrastruktura kritike britanike. Raportohet se ndër sistemet e prekura mund të jenë organizata të shërbimit shëndetësor NHS, kompani të sektorit energjetik dhe furnizues të industrisë farmaceutike.
Ekspertët paralajmërojnë se një sulm i tillë mund të përdoret si pikënisje për operacione më të mëdha, përfshirë sulme me ransomware që mund të shkaktojnë pasoja serioze.
“Organizatat e NHS, farmacitë, laboratorët dhe furnizuesit e tyre varen shumë nga sistemet e prekura. Ky është pikërisht lloji i sulmit që mund të shërbejë si hapi i parë drejt një sulmi katastrofik”, deklaroi eksperti i sigurisë kibernetike Dr. Saif Abed.
Ndërkohë, studiuesi i sigurisë kibernetike Volodymyr Diachenko, i cili identifikoi problemin, tha se hakerët kanë siguruar akses në rrjete të rëndësishme të Ministrisë së Jashtme britanike dhe paralajmëroi se edhe institucione të tjera qeveritare mund të jenë të ekspozuara.
Autoritetet britanike vijojnë hetimet për të përcaktuar përmasat e sulmit dhe për të identifikuar përgjegjësit pas këtij operacioni kibernetik.



