Sulmi ndaj gazetarit investigativ të Rai3/ Nga akuzat për “mafia shqiptare” te dyshimet për rrethin e tij të ngushtë

Sulmi ndaj gazetarit investigativ të Rai3/  Nga akuzat për

Hetimet për atentatin ndaj gazetarit investigativ të Rai3, Sigfrido Ranucci, kanë marrë një kthesë të re, pasi autoritetet italiane po shqyrtojnë një pistë që nuk lidhet me grupime shqiptare, por me një person nga rrethi i tij i afërt.

Ngjarja ndodhi në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur një shpërthim me eksploziv dëmtoi automjetet e parkuara pranë banesës së gazetarit në periferi të Romës. Nga shpërthimi u rrezikua edhe jeta e vajzës së tij, e cila kishte kaluar në atë zonë pak kohë më herët.

Në atë periudhë, disa media italiane ngritën dyshime se pas sulmit mund të qëndronte “mafia shqiptare”, duke e lidhur ngjarjen me kronikat investigative të Ranuccit për Shqipërinë dhe akuzat për lidhje të mundshme mes krimit dhe politikës. Kjo pistë u përhap gjerësisht, edhe pse nuk u konfirmua zyrtarisht.

Sipas zhvillimeve të fundit në hetim, autoritetet italiane po ndjekin një tjetër skenar: dyshimet janë përqendruar te biznesmeni kontrovers Valter Lavitola, i cili dyshohet se mund të ketë qenë i përfshirë në një plan të organizuar ndaj gazetarit.

Vetë Ranucci ka folur më herët për marrëdhënien me Lavitolan, duke e cilësuar atë si një mik të afërt. “Valteri është një mik i vërtetë, mes nesh ka shumë ngrohtësi”, është shprehur gazetari në një intervistë për “Corriere della Sera”.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Itali, pasi Lavitola ka qenë më parë edhe subjekt i disa investigimeve të emisionit “Report”, të drejtuar nga Ranucci. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien mes gazetarit dhe një personazhi që më herët ishte përfshirë në temat e punës së tij investigative.

Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e mundshme dhe për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete për atentatin ndaj një prej gazetarëve më të njohur investigativë të televizionit publik italian.

EMISIONET