Sulm amerikan mbi një kazermë iraniane/ 7 ushtarë të vr*rë dhe dhjetëra viktima nga përplasja SHBA-Iran

Përplasja ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re pas një sulmi ajror amerikan në jug të Iranit, ku autoritetet iraniane raportojnë për shtatë ushtarë të vrarë dhe disa të plagosur. Sulmi ndaj një objekti ushtarak ka rritur më tej tensionet mes dy vendeve, ndërsa palët vazhdojnë shkëmbimin e goditjeve dhe kërcënimeve.
Sipas një njoftimi të ushtrisë iraniane të transmetuar nga agjencia shtetërore Fars, forcat amerikane goditën një kazermë ushtarake në qytetin jugor të Baburit me 13 raketa. Autoritetet iraniane bëjnë me dije se nga sulmi mbetën të vrarë shtatë ushtarë, ndërsa disa të tjerë u plagosën.
Sulmi vjen pas një nate me bombardime të shumta amerikane ndaj objektivave në Iran. Sipas të dhënave të publikuara nga Teherani, numri i viktimave nga goditjet e fundit ka kaluar mbi 30 persona, ndërsa më shumë se 260 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Pas sulmeve, ushtria iraniane paralajmëroi një kundërpërgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara. Teherani pretendon se ka goditur disa objekte amerikane në rajonin e Gjirit, përfshirë baza në Bahrein, Jordani dhe Kuvajt, ndërsa këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane njoftoi se ka zhvilluar një operacion ajror disaorësh, gjatë të cilit janë goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe zonave bregdetare të Iranit.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se operacionet do të vazhdojnë nëse Teherani nuk rikthehet në negociata. Uashingtoni ka akuzuar gjithashtu Iranin për sulme ndaj anijeve tregtare dhe objektivave amerikane në rajon.
Ndërkohë, agjencia iraniane Fars raportoi se një nga zonat e sulmuara ishte porti i Çabaharit, i vetmi port oqeanik i Iranit, ku u godit një qendër e kontrollit të trafikut detar. Sipas autoriteteve iraniane, në këtë sulm nuk pati viktima.
Përshkallëzimi i fundit ka shtuar shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa përplasjet ushtarake mes dy vendeve vijojnë dhe tensionet rriten në rajonin e Gjirit.


