Bota e çiklizmit tronditet për herë të dytë
Bota e çiklizmit ka marrë një tjetër goditje shumë të rëndë pas asaj që i dha Lens Armstrong. Çiklisti i njohur danez, Mikael Rasmusen, ka pranuar dje në një konferencë për shtyp se "ka përdorur prodhime dhe metodologji dopuese nga viti 1998 deri në vitin 2010, duke bërë të ditur se ka filluar bashkëpunimin me agjencitë antidoping. Çiklisti ka treguar se për 12 vite radhazi ka përdorur rregullisht EPO, hormone rritje, testosteron, insulinë, kortizon dhe transfuzione gjaku.
39 vjeçari Rasmusen përfundoi në faqet e para të gazetave në korrikun e vitit 2007, kur ishte në drejtimin e Turit të Francës, por u detyrua të tërhiqej nga skuadra e tij, "Rabobank", e cila kishte ndeshur disa parregullsi në lidhje me praktikat e mundshme të përdorimit të dopingut nga çiklisti danez. Pas asaj ngjarje, Federata Ndërkombëtare e dënoi me 2 vite pezullim.
Danezi ka pranuar përdorimin e substancave të palejuara, por ka refuzuar për momentin të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve, duke bërë të ditur se braktiste përfundimisht çiklizmin dhe se kishte filluar bashkëpunimin për "të pastruar ambientin". Ai sqaroi se kishte gjetur një marrëveshje me autoritetet antidoping daneze, holandeze, amerikane dhe WADA për të dhënë një dëshmi të plotë dhe për të treguar emrat e çiklistëve të tjerë të përfshirë, por nuk i lejohej që të tregonte këto detaje për shtypin.
"Kam gënjyer e mashtruar, ndaj tani ndjehem i lehtësuar që nuk do ta bëj më një gjë të tillë. Jam i gatshëm të pranoj çdo sanksion të mundshëm", tha Rasmusen.
