Barça ankohet përsëri për tapetin e "San Siros"
Ashtu si një vit më parë, kur Barcelona u ankua për tapetin e “San Siros”, edhe këtë vit, Barcelona ka shprehur sërish pakënaqësitë e saj për tapetin e fushës ku sonte do të përballen dy gjigantë të futbollit botëror.
Gjatë stërvitjes së parë në stadiumin e Milanos, Blaugranat nuk janë ndjerë rehat për shkak të tapetit sintetik që është vendosur në fushë duke shprehur edhe habinë se si Milan merr një vendim të tillë disa ditë edhe para derbit me Inter. Diçka të tillë e ka pranuar edhe tekniku kuqezi, Massimiliano Allegri, i cili në konferencën për shtyp tha se nuk është në kushtet më të mira".
Duke u bazuar në lojën që bëjnë si Milan ashtu edhe Barcelona, terreni do të jetë një pengesë shumë e madhe.
Në lidhje me këtë sfidë të madhe diçka që vlen të theksohet është edhe fakti se “San Siro”, do të jetë i tejmbushur në mbrëmjen e sotme.
Zyra për marrëdhëniet me mediat në klubin e Milan, ka informuar në lidhje me superndeshjen e mbrëmjes në Champions League mes Milan dhe Barcelonës, se në "San Siro" nuk ka më vende pasi të gjitha biletat janë shitur. Ata që kishin menduar se do të blinin një biletë në momentet e fundit, duhet të mendojnë një alternativë tjetër për ta parë këtë përballje pasi në shkallët e stadiumit vendet janë prenotuar dhe nuk ka ngeluar asnjë i lirë.
