Athinë, qindra protestues kundër racizmit dhe pro emigrantëve
Qindra grekë dhe emigrantë protestuan në rrugët e Athinës në ditën ndërkombëtare për zhdukjen e diskriminimit racor.
Fitorja e Syriza-s në zgjedhjet e fundit, parti e cila ka shprehur disa herë mbështetjen për emigrantët, ka bërë që ata të jenë më shumë optimistë për të ardhmen në Greqi.
Ata kërkojnë mbylljen e qendrave të emigrantëve të paligjshëm si dhe leje qendrimi të përkohshme për refugjatët e luftës.
Mijëra emigrantë që duan të futen në Bashkimin Europian zgjedhin Greqinë si pikën më të afërt nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, ndërsa kriza ekonomike në vend ka rritur qendrimin armiqësor të grekëve ndaj të ardhurve.
Në vitin 2012, qeveria e Antonis Samaras nisi një operacion fshesë duke arrestuar mijëra emigrantë të palijgshëm në vend dhe gjithashtu anulloi ligjin që u garantonte fëmijëve të një kategorie emigrantësh mundësinë e marrjes së nënshtetësisë helene.
Qeveria e re e radikalëve të majtë, edhe pse ka bërë koalicion me grekët e pavarur që njihen për qendrimin armiqësor ndaj emigrantëve, është zotuar që do të mbyllë qendrat e strehimit të kritikuara prej kohësh për gjendjen e tyre të mjerueshme.
