Pas vrasjes së 66-vjeçarit Behar Sofia, atentat i ndodhur paraditen e sotme në qendër të Tiranës, Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e kryeqytetit me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave të dyshuar.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.

Sipas raportimeve paraprake, Sofia ishte duke lëvizur në këmbë pranë zonës së Piramidës ku është qëlluar me dy plumba nga një makinë në lëvizje.

Mësohet se për ekzekutimin e Sofisë është përdorur armë me silenciator.

Ai mori dy plumba dhe u dërgua me urgjencë në spital por pa mundur ti mbijetonte plagëve.

Behar Sofia nuk është një emër i panjohur për organet ligjzbatuese, ndërsa njihet edhe si biznesmen.

Ora News mëson se viktima kishte disa aktivitete në Tiranë, përfshirë një kopësht dhe një çerdhe në “Rrugën e Elbasanit” si dhe një bar-lokal në qytetin e Durrësit. Disa prej bizneseve të tij kanë qenë pre e atentateve me lëndë eksplozive.

Sofia ishte me origjinë nga Lapardhaja e Beratit por jetonte në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Njoftimi i Policisë Tiranë për ngjarjen:

Me datë 25.02.2021, rreth orës 09:00, në trotuar në afërsi të Piramadës është konstatuar nga sherbimet e Policisë shtetasi B. S., 66 vjeç, i shtrirë në tokë, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjeksore ku dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.