Vëzhgimi i BOOM: Shtëpitë me qira jepen pa kontratë noteriale
Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, në varësi të faktorëve të ndryshëm, banojnë në objekte banimi që lëshohen me qira. Vjeshta konsiderohet si sezoni më me fluks, ndikuar edhe nga studentët të cilët i drejtohen banesave që lëshohen pikërisht për efekt banimi. Po si jepen me qira këto objekte banimi, me apo pa kontratë të noterizuar mes qiramarrësit dhe qiradhënësit?
Emisioni investigativ BOOM në RTV Ora ka kryer një vëzhgim në zona të ndryshme të Tiranës. për të provuar nëse qiraja e banesave është ose jo e ligjëruar , nëse lidhen ose jo kontrata të noterizuara mes qiradhënësit dhe qiramarrësit apo pronarët e këtyre objekteve shmangin detyrimet,e konkretisht tatimin e mbajtur në burim prej 15 përqind.
Gjatë vëzhgimit BOOM vëren se qiradhënësit edhe pse janë në dijeni se duhet të paguajnë vlerën 15 përqind në si tatime, e shmangin atë ,duke mos lidhur kontratë qiraje me qiramarrësit. Duket se më shumë i besojnë marrëdhënies shoqërore në mirëbesim, tek-tuk ndërtojnë edhe kontrata dore.
1.
Qiramarrësi:26 000 lekë e ke të fundit?
Qiradhënësi: Jo ,ajo është e parafundit.Duke më treguar ti afatin .Sa do rrish?
Qiramarrësi: Një vit,them, si fillim.Ndonjë kontratë noteriale,si e keni?
Qiradhënësi: Unë në radhë të parë e shoh tjetrin në telefon që i them e i them "hajde hyr te shtëpia".Unë kam patur preferencë çift ose dy vajza dhe i lë edhe një muaj pa qira, edhe dy ,edhe tre,dua njeriun që unë të jem i ngrohtë,edhe ai të jetë rehat edhe unë të jem në rehatinë time. E para është nëse të pëlqen shtëpia, e dyta ,pastaj, unë ta lë 23 000 lekë.

2.
Qiramarrësi: Sa lekë e kishe?
Qiradhënësi: 12 000 lekë.
Qiramarrësi: Po këto,kontratat? Si i bëhet?
Qiradhënësi: Hiç fare! Vjen,hyn, kur të dojë të ikë, mua nuk më prish punë.

Por siç e thotë specialistja, format shkresore e të panoterizuara të kontratave të qirasë,nuk kanë asnjë vlerë ,pasi ato nuk mund të shërbejnë si dokumenta provueshmërie, nëse mes palëve lindin konflikte ose mosmarrëveshje.

Iva Kapoli: "Qiraja është kontrata me të cilën pala qiradhënëse detyrohet që t'i japë një send të caktuar,në gëzim të përkohshëm,palës qiramarrëse kundrejt një shpërblimi të caktuar.Një kontratë ka disa nene,duke filluar nga afati,objekti,vlera e qirasë dhe mënyra e pagesës,të drejtat dhe detyrimet.
Është shumë e rëndësishme që kontrata të lidhet në formë shkresore pranë një noteri për efekt vlefshmërie dhe provueshmërie ,që nenet të jenë të vlerfshme dhe të përmbushen nga të dyja palët. Përndryshe, nuk ka efekt ligjor në qoftë se bëhet thjesht ndërmjet palëve dhe që nuk është në një studio noteriale. Këto kontrata po shmangen, pasi shmanget vlera e detyrimit në burim prej 15 përqind, por është shumë më e rëndësishme që të kenë një kontratë e cila t'i përmbushë të gjitha këto kushte sesa një kontratë që ka shmangur disa tatime ,por nesër të kenë problematika nga më të ndryshmet.
Kontratat që bëhën në mënyrë shkresore ndërmjet palëve,miqve,nuk janë të vlefshme . Të vlefshme janë vetëm kontratat që bëhën në një studio noterie me gjithë dokumentat: të pronësisë, identitetet e palëve, etj, të firmosura dhe të noterizuara për të qenë të qetë dhe për të mos patur problematika, qoftë në gjykata, qoftë zënkat që ndodhin. Si rregull tatimin e paguan pala qiradhënëse që ka objektin në pronësi".
Emisioni “BOOM” nëpërmjet një kërkese zyrtare për informacion, iu drejtua Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve, për të mësuar më shumë mbi detyrimin tatimor që ka personi që realizon të ardhura, në rastin tonë, personi që realizon të ardhura nga qiraja.
Tatimet, në përgjigjen e tyre, sqarojnë: “Të ardhurat e realizuara nga qiratë me burim në Republikën e Shqipërisë janë të ardhura të tatueshme. Në ligjin nr.8438,dt.28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” përcaktohet se të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qëndrore e vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim në masën 15 përqind nga shuma bruto e pagesave, përfshirë edhe pagesat për qiratë.
Për efekte tatimore janë të evidentuara tre lloj marrëdhëniesh qiradhënës-qiramarës , ndër to edhe kur qiradhënësi dhe qiramarrësi janë të dy individë jo tregtarë,ku individi qiradhënës regjistrohet pranë Drejtorisë Rajonale të juridiksionit vetëm për përgjegjësinë e tatimit mbi fitim, ku ai nuk ngarkohet me asnjë përgjegjësi tjetër tatimore .Ai deklaron dhe paguan tatimin e mbajtur në burim në 15 përqind të shumave bruto të pagesave deri në datën 20 te muajit që pason muajin e pagesës.
Sa i takon masave penalizuese ligji 9920\2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” parashikon penalitete ,përfshirë edhe rastet e evazionit të cilat klasifikohen si vepra penale”.
Tatimet thonë se administrata tatimore ushtron kontroll sipas një analize risku,ku n ë rast se konstatohet shkelja e legjislacionit tatimor, strukturat aplikojnë penalitetet përkatëse.
