S`ka kuorum, s`ka referendum! Rrëzohet kërkesa për ndryshimin e sistemit zgjedhor
Kërkesa për referendum me pyetjen “A je dakord që të ndryshohet sistemi zgjedhor për të krijuar mundësinë që të zgjidhni cilin kandidat doni t’ju përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë ? nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tre anëtarë votuan kundër ndërsa kreu i KQZ dhe përfaqësuesja e PS Rezarta Bitri votuan pro kërkesës, por kjo ishte e pamjaftueshme për të patur kuorumin e nevojshëm si për ta rrëzuar ashtu edhe për ta pranuar kërkesën.
“Dihet që kur KQZ nuk merr dot vendime shkon në Kolgjin Zgjedhor, pork y kolegj nuk është në punë. Është vendimarrja juaj, gjuha mund të kthehet si të duash, sa të duash dhe për çfarë të duash kur e ke vendosur që në fillim se çfarë do të bësh”, tha Kristaq Kume një nga nismëtarët e kërkesës.
“Këtu është ndërruar çështja, është ndërruar pyetja dhe mungon krejtësisht argument”, tha Denar Biba.
Kundër vendimit të anëtarëve të tjerë të socialistëve të KQZ, doli Rezarta Bitri, duke ju bashkuar votës së kryetarit të KQZ, Klement Zgurit.
“Ne nuk mund të refuzojmë të drejtën për të mbledhur nënshkrime”, tha Rezarta Bitri.
“Një të drejtë kushtetuese ku sovraniteti shprehet drejtpërdrejtë, kjo mbetet një fasadë. Realisht sa mundohet ti japë të drejtë aq dhe e kufizon mundësinë për referendum”, tha Klement Zguri.
Por shoqëria civile nuk do të heqë dorë nga kërkesa për referendum pasi përfaqësuesit deklaruan se do të vijnë sërish me një kërkesë derisa të marrin një po nga KQZ-ja.
