Shoqata Tirana thirrje politikës: Rrezikohet konflikt civil, palët ti japin fund krizës
Vendi rrezikon konflikt civil të pashmangshëm, ndaj palët duhet ti japin fund krizës politike. Kjo është deklarata që bëri shoqata Tirana, teksa i kërkon edhe Presidentit të Republikës që të ndërhyjë për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Shoqata Tirana i ka bërë sërish thirrje palëve politike që ti japin fund krizës. Kreu i kësaj shoqate, Arben Tafaj tha se kjo situatë nëse vazhdon e tillë ka rrezik për një konflikt civil.
Arben Tafaj: Bindja e palëve politike se çdo veprim i tyre është legjitim nuk prodhon asgjë tjetër veçse një rritje te rrezikut për një konflikt civil të pashmangshëm. Një konflikt i tillë do të deligjitimonte të gjithë palët, pavarësisht pozitave të tyre dhe do ti bënte përgjegjësi për pasojat.
Tafaj shtoi se presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Arben Tafaj: Një tryezë e të gjithë palëve do të ishte hapi i parë i domosdoshëm, për rivendosjen e disa ekuilibrave fillestare në komunikimin politik të vendit. Nëse kjo tryezë dështon, atëherë ndoshta vetëm dorëheqja e Presidentit mund ti shërbejë synimit për fillimin e një dialogu në kushtet e një krize totale.
Forumi qytetar i shoqatës Tirana fton çdo organizatë qytetarë që ti bashkohet misionit për të parandaluar ngjarje që mund të shndërrohen në një kujtesë të hidhur kombëtare për shqiptarët.
