Ishte dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet Endrit Dokle i bandës së Durrësit

Ishte dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet Endrit Dokle i

Gjykata e Krujës ka liruar nga burgu ish-anëtarin e Bandës së Durrësit Endrit Dokle i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm vendim që është lënë në fuqi edhe nga shkallët e tjera të gjyqësorit.

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e të dënuarit duke konvertuar dënimin e burgimit të përjetshëm me 25 vite burg, me pretendimin se pjesën më të madhe e ka shlyer.

Me këtë argument avokatët kanë kërkuar shuarjen e dënimit përjetë dhe lirimin në provë të të pandehurit për një periudhë 5-vjeçare.

Mësohet se kërkesa është kundërshtuar nga prokurorët e Krujës, duke pretenduar se për Doklen ka një vendim të formës së prerë në 2014 që e dënonte për burg përjetë për pjesëmarrjen në grup të strukturuar dhe vrasje. përfaqësuesit e akuzës kanë kërkuar që i dënuari të vijojë të qëndrojë në burg dhe të vuajë dënimin ndërsa gjatë procesit kanë kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares me argumentin se kërkesa duhej rrëzuar pasi nuk plotësonte kushtet ligjore.

Në një deklaratë për ngjarjen, prokuroria e Krujës tha se kërkesa e saj u rrëzua nga drejtuesja e seancës Enkelejda Hoxha, e cila vendosi që këtë dënim përjetë ta konvertojë në 25 vite më pas duke e cilësuar si dënim që pjesën dërrmuese e ka shlyer duke ka liruar me kusht të pandehurin.

Në gjykatë avokatët kanë paraqitur edhe një kontratë punësimi për Endrit Doklen pas daljes nga burgu. Dokumenti i firmosur nga Agim Cako pronar i Mateo Konstruksion parashikon se Dokle do të paguhet me 35 mijë lekë të reja në muaj.

Ndërkohë sipas prokurorisë së Krujës lirimi është kryer në shkelje dhe për vendimin e gjykatës do të ushtrohet ankim në apel brenda afateve ligjore. Sipas vendimit të formës së prerë Endrit Dokle është dënuar për vrasjen e shtetasve Dritan Disha dhe Avni Gashi dhe tentativën e vrasjes së Lulzim Berishës, por edhe për rrëmbim personi, trafikim e mbajtje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Gjykata e Lartë ka theksuar se vuajtja e dënimit për Endrit Doklen ka nisur data e ndalimit te tij, me 2 nëntor 2005.

EMISIONET