Gjykata liroi Endrit Doklen, Prokuroria e Krujës do ankimojë vendimin
Prokuroria e Krujës ka paralajmëruar ankimin e vendimit të Gjykatës, e cila liroi nga burgu ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Endrit Dokle.
Në reagim thuhet se Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesëmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma.
Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet procedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.
Gjykata e Shkallës së Parë Krujë pranoi kërkesën e Dokles për ta liruar atë me kusht, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
"Endrit Dokle detyrohet që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.
