Plumba në disko, Emiljano Nina hesht në Gjykatë, Prokuroria sjell prova filmike
Emiljano Nina, i riu që terrorizoi pushuesit në një klub nate mbrëmjen e së shtunës do të qëndrojë në qeli deri në fund të hetimit. Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 23 vjeçarin që akuzohet se qëlloi katër herë me pistoletë duke shkaktuar panik mes pushuesve.
Gjykata e Vlorës la në burg Emiljano Ninën, të riun që qëlloi me armë në një disko verore në Dhërmi duke shkaktuar terror mes pushuesve të shumtë.
Për 23 vjeçarin, gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për prishje dhe të rendit dhe sigurisë publike si dhe për mbajtje e përdorim të armëve pa leje.
Në seancën me dyer të mbyllura, Nina mësohet se nuk ka thënë asgjë, ndërsa prokurori Kledjan Ilaho i ka bazuar akuzat ndaj të riut mbi pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e pushuesve që ndodheshin në klubin ku u shënua ngjarja.
Pas shqyrtimit të provave, gjyqtari Hektor Sinanaj caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Emiljano Ninën.
Natën e së shtunës së kaluar, 23-vjeçari qëlloi të paktën katër herë me pistoletë në mes të diskos pasi u përfshi në një konflikt me persona të tjerë për ngacmimin e një vajze.
Të shtënat shkaktuan kaos e panik mes pushuesve siç tregojnë edhe këto pamje amatore.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati të plagosur, por ngriti një debat të fortë mbi çështjen e sigurisë në lokalet e natës në zonat bregdetare që këto kohë janë të mbipopulluara me pushues shqiptarë e të huaj.
