Kukës, nis rivitalizimi i kalasë antike të Pecës
Kalaja dhe qyteza antike e Pecës në Kukës prej 12 mijë metrash katrorë pritet të rehabilitohet, si një atraksion që mund të shërbejë jo vetëm si pjesë e trashgimisë kulturore, por edhe për zhvillimin e turizmit në një nga zonat më të varfra të vendit.
Kështu, Bashkia e Kukësit së bashku me Institutin e Arkeologjisë, po zbatojnë projektin për rehabilitimin e sajtit.
Bashkim Shehu: “Studimet e kryera në kalanë e Pecës kanë treguar se vetë emri i Kukës ka zanafillën nga kjo kala . Është fjala për zbulimin e një mbishkrimi i cili daton rreth 1600 vite përpara nesh, i cili ka të stampuar emrin e vjetër të Kukësit. Natyrisht jeta këtu ka filluar shumë herët dhe tregon për rëndësisnë e madhe që ka pasur si qendër e zhvillimit të qytetar si edhe është një ndër pikat më të rëndësishme që është integruar në sistemin e të mbretërisë Dardane. Rreth saj kemi shumë monumente kulture.”
Prof.Dr. Luan Përzhita, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë, që kryeson këtë projekt të Bashkisë Kukës thotë se Kalaja e Pecës ka vlera të jashtëzakonshme për sa i takon origjinës dhe emrit të vjetër të vetë qytetit të Kukësit. Sipas Përzhitës, është një shembull i rëndësishëm vlerash që identifikon qytetërimet e hershme e me kulminacion Perandorinë e Justinianit, i cili ndërtoi edhe një kishë brenda Kalasë së Pecës.
Luan Përzhita: “Këto janë rrënjët tona, të Kukësit, të gjithë zonës që përfshin edhe Kosovën, së Dardanisë. Është një kala me një histori shumë e vjetër. Ne do ti tregojmë të gjithëve që këtu ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur. Njerëzit, nga fëmijët deri tek më të rriturit, së pari do të njohin historikun e vet, pastaj me një investim 4 vjeçar, me shuma modeste dhe në bashkëpunim me ambasadorë të huaj, po shikojmë mundësinë që të bëjmë rrugën që të sjellë në kala.”
Punimet për rivitalizimin e Kalasë dhe Qytezës Antike të Pecës,do të shtrihen në një hark kohor katër vite. Projekti përfshin rindërtimin e mureve rrethuese,atë të kishës,kullën e vrojtimit,një urë lidhëse, si dhe rrugën që të çon tek ky ansambël i trashgimnisë kulturore e historike.
Gërmimet sistematike të kryera në këtë qendër gjatë viteve 1985-1989, sqaruan periudhat kohore të zhvillimit historik të këtij vendbanimi, që zënë fill në shekujt VI-V para Krishtit. Kalaja e Pecës ndodhet pranë lumit Drin i Bardhë,në një pikë strategjike e që sot rrethohet nga liqeni i Fierzës.
/Oranews.tv/
