"BOOM" në Ndroq: Familja Tafa në çadër që pas tërmetit të 21 shtatorit

Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora solli këtë të hënë situatën post-tërmet të familjes Tafa, banorë në fshatin Gërçukë të Ndroqit.

Shtëpia e tyre ka pësuar dëme të mëdha që e detyruan djalin e kësaj familje së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët të zhvendoseshin për të jetuar brenda ambienteve të godinës Egi Center, pranë Unazës së Re.

Ermandi na tregon se banesa e  tij është dëmtuar që në tërmetin e parë të datës 21 shtator dhe se punonjës të Njësisë Administrative kanë ardhur për ta parë dhe kanë bërë vetëm foto.

Kur djali i familjes shkoi në komunë, këta të fundit pohuan se fotot e bëra nuk janë marrë për bazë dhe se do të shkojnë inxhinierët të bëjnë foto përsëri.

Ai tregon gjithashtu se ka qëndruar dhe vetë sëbashku me foshnjën 4 muajsh, në çadrën e vendosur në fshat.

Ermandi, djali i familjes Tafa:  Janë pothuajse të shkatërruara banesat tona në fshatin Gërçuke të Ndroqit. Në tërmetin  e parë, këta të komunës kanë ardhur, kanë bërë vetëm foto, kam shkuar në Komunë edhe më thanë që fotot, që kemi bërë, nuk na i kanë marrë përsipër. Pastaj më thanë se do vijnë inxhinierët dhe do të bëjnë përsëri foto. Unë kam babin dhe mamin atje me gjithë vëllain, të cilët jetojnë në çadër, se kemi bagëti dhe s'kemi ku ti çojmë, me ato jetojmë. Po ti lënë atje dhe të vijnë këtu, na i vjedhin! Me një ndihmë ekonomike çfarë të bëj? Çuni katër muajsh ka ndenjë rreth një javë aty në çadër, falenderojmë të gjithë këta këtu që kujdesen për ne.

Gazetarja: Po më thoni se banesa juaj ka pësuar dëmtime  që nga 21 shtatori? Përfaqësues të Njësisë kanë ardhur? Çfarë ju kanë thënë?

Ermand Tafa: Ata thanë që na u fshinë fotot, pastaj në tërmetin e dytë, nuk di si qëndron shtëpia dhe nuk na ka zënë poshtë se është banesë dy katëshe. Kati i dytë është i shkatrruar komplet, katastrofë nuk rrihet brenda… Pas tërmetit të 26 nëntorit na kanë dhënë një çadër, aty rrijnë prindrit e mi, nuk mund të rrijmë 7 veta , brenda saj është e pamundur. I kërkoj shtetit të na ndihmojë, të kemi ku të fusim kokën.


Ekipi i "BOOM" udhëtoi drejt fshatit Gërçukë për të takuar nga afër prindërit e Ermanit dhe për të parë dëmtimet në banesën e tyre dhe se në çfarë kushtesh po jetojnë.

Nëna e familjes Tafa, zonja Lumturie tregon se që në tërmetin parë, ata kanë qëndruar jashtë për tre ditë. Vetëm në ditën e katërt kanë arritur të marrin një çadër e cila ishte gjithashtu e dëmtuar.

Lumturi Tafa: Ky tërmet na ka trondit shumë,shyqyr që nuk patëm fatkeqësi në njerëz. Kam qenë këtu në këtë krevat, më kanë rënë copat në kokë, siç po e shikoni. Kam ecur me vrap te dhoma e djalit, për të tërhequr djalin e djalit, fëmija është katër muajsh, ra pasqyra, ra televizori, nuk kam parë çfarë kërciti, kur pash rrugicën pas derës së nuses, kam menduar se është fëmija, u tmerrova. Kemi ndenjë tre ditë jashtë pa çadër, ditën e katërt ka shkuar burri, mezi e ka marr këtë çadrën, ajo pikon në katër cepat. Këto çarje siç e shikoni edhe vetë kanë qënë që të 21 shtatorit, erdhën i panë edhe asnjë orientim nuk na dhanë. Në tërmetin e dytë kanë ardhur pas pesë ditësh, kam dashur të marr fëmijën dhe të shkojë para Parlamentit, se një fëmijë katër muajsh nuk mund të mbahet jashtë. Të veri dorë shteti, të ardhurat tona janë 35 mijë lekë dhe bagëtitë.

Pas kqyrjes së situatës në familjen Tafa, "BOOM" shkoi në Njësinë Administrative.

Kryetari i njësisë, Xhavit Çeka, pranoi se janë bërë verifikimet për shtëpinë e familjes Tafa, ndërkohë që dosjet janë dërguar pranë emergjencave civile.

Z. Xhavit shprehet se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me bonusin e strehimit dhe në Ndroq.

Gazetarja: Z  Xhavit, ishim në banesën e familjes Tafa. Ajo çfarë pamë ishin pamjet me dëmtime të mëdha. Familjarët na pohuan se këto dëmtime kanë qënë që nga 21 shtatori. Mund të na flasësh në lidhje me familjen Tafa? Cilat janë masat që janë marr?

Xhavit Çeka: Siç e dimë, tërmeti 21 shtatorit ishte një goditje për Njësinë Ndroq. Njësia Administrative Ndroq ndodhet shumë afër epiqendrës, dëmet kanë qënë të mëdha. Pas marrjes së njoftimeve nga banorët, ne jemi paraqit dhe morëm masat për verifikim. Në këto familje që po diskutojmë, verifikimi u bë në mënyrë korrekte dhe u plotësuan dhe dosjet, kjo është detyra e Njësisë, verifikimi, plotësimi i dosjeve dhe dërgimi pranë emergjencave të Bashkisë.


Gazetarja: Pra, për familjen Tafa janë bërë verifikimet, është plotësuar dosja dhe e keni nisur?

Xhavit Çeka: Janë plotësuar dokumentet, kanë shkuar pranë Emergjencës Civile, si dhe ka filluar dëmshpërblimi për tërmetin e parë.

Gazetarja: Pas verifikimit nga tërmeti i parë, a kishte një përgjigje, nëse banesa ishte e banueshme apo jo? Cila ka qënë procedura që është ndjekur për këtë familje?

Xhavit Çeka: Hapi që është marrë ka qënë verifikimi në terren, plotësimi dosjes dhe dërgimi pranë emergjencave, sepse nuk ishte një rast alarmant. Tërmeti i dytë e nxorri të pabanueshme. Masat nga Bashkia janë, pajisja me çadër, furnizimi me batanije dhe veshmbathje. Nuk bëhet fjalë për shtëpi tani, kjo është faza e parë, Bashkia vazhdon me bonusin e strehimit dhe po vjen edhe në Njësinë Ndroq.

Por djali i familjes Tafa, Ermandi së bashku me bashkëshorten vijojnë ende të jetojnë brenda godinës së Egi Center dhe se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga autoritetet.

Fëmija e tyre vetëm 4 muajshe ka probleme shëndetësore dhe kërkon përkujdesje dhe përkushtim por kjo është e pamundur në kushte aspak normale.

Ermand Tafa: Ne vazhdojmë të qëndrojmë brenda kësaj godine së bashku me bashkëshorten dhe djalin katër muajsh. Fëmija ka probleme shëndetësore, ka qënë me të vjella gjatë natës, nuk di dhe sa do vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Nuk di çfarë do bëhet edhe me pjestarët e tjerë të familjes, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë  ende në çadër, në fshat.

Bashkëshortja e Ermandit: Fëmija është me temperaturë dhe të vjella gjatë natës, kushtet janë të vështira. Ndërsa shteti ende asgjë nuk po bën për ne, jo vetëm për ne, por edhe për familjarët e tjerë, vjehrrin dhe vjehrrën, të cilët po qëndrojnë ende në çadër.

Emisioni "BOOM" i bën thirrje kryeministrit të vendit që të marrë masa, jo vetëm për familjen Tafa, por për të gjithë familjet e tjera që janë në situatë të vështirë.

EMISIONET