Bashkia shemb tregun elektrik, protestë para zyrës së Veliajt: Nuk ikim pa zgjidhje!

Një tjetër veprim i bashkisë së Tiranës ka shkaktuar protesta. Herët në mëngjes fadromat kanë mbërritur në tregun elektrik për ta shembur. Vetë tregtarët akuzojnë se po u shembet biznesi dhe se po i largojnë nga vendi pa u siguruar një ambient tjetër. Zgjidhjen për tu zhvendosur në Shkozë nuk e pranojnë pasi sipërfaqa është tejet e vogël.

Bashkia e Tiranës nuk ka pranuar kërkesat e tregtarëve, por ka vijuar me shembjen  e tregut elektrik.

Mjetet e rënda kanë mbërritur në zonë herët në mëngjes, ndërsa në mbështetje të ture ishin dhe forcat e rendit.

Si zgjidhje tregtarët ndërmorën një protestë para bashkisë së Tiranës.

Ofertën për të zhvilluar aktivitetin në Shkozë, ku dhe bashkia u ka propozuar një terren e konsiderojnë të papranueshme.

"Kemi 25 vjet që punojmë te ky treg, minimalisht janë 250 tregtarë me nga një punëtor minimalisht bëjnë 500. Shumëzoji për 4-500 familje i thonë 2000 veta që hanë bukë te ky tregu këtu. Ka qenë moçal, e kemi pastruar vetë dhe e kemi kthyer në treg."

"Të na krijojnë infrastrukturën, të na thonë ku do të ikim.Nuk na kanë dhënë asnjë alternativë. Alternativa ikni ku të doni! Se kush është ai drejtor i bashkisë atje, ikni se nuk kemi punë me ju, boll keni hëngër bukë!"

Duke e konsideruar si një shkelje, tregtarët shprehen se po u hiqet mundësia për tu siguruar të ardhura familjeve.

"Ne na kanë konsideruar si tregtarë të palicencuar, ne jemi të gjithë me licencë. Nuk jemi tregtarë ambulantë. Ka ardhur urdhri për prishjen e tregut. Bashkia Tiranë të na sistemojë në një vend, nuk jemi që të mos prishet tregu. Nuk jemi zaptues, aty na ka vendosur bashkia e Tiranës".

Nuk është hera e parë që bashkia e Tiranës vepron duke mos marrë parasysh kërkesat e atyre që paguajnë taksat e vendosura.

"Ku ti çojmë mallrat?"

Tregtarët të revoltuar thonë se bashkia nuk i ka njoftuar se ku do të zhvendosen bizneset e tyre pas shembjes së tregut.

"Ky është një turp që bën bashkia. Janë 232 veta që punojnë këtu. Ne i dhamë votën për më mirë jo të na lërë në mes të rrugëve. Po bëjnë masakër me tregtarët" tha një përfaqësues i tregtarëve i cili mohoi dhe ekzistencën e një peticioni të firmosur prej tyre për prishjen e tregut.

"Na kanë thënë shkoni ku të doni, do ta prishim. Paguajmë taksat një më një."

"Kontenierët i ka vendosur bashkia jo ne. 30 vjet që paguajmë taksa. Jemi tregtarë të licencuar jo ambulantë. Nuk kemi pasur asnjë negociim. Tani na thotë të shkojmë në Shkozë. Ta sistemojë vendin bashkia dhe të mos na lërë rrugëve."



EMISIONET