Masakra e Cërrikut 1997, riarrestohen dy autorët, u liruan në 2012
Dy anëtarë të ish bandës së Cërrikut janë arrestuar sot nga policia e Elbasanit.
Të arrestuarit janë Meti Bozi, 58 vjeç banues në Cerrik dhe Skënder Cano. Ata janë shpallur fajtor për masakrën e 23 marsit 1997 në Cërrik, ku u vranë dhe u dogjën 6 gardistë, si dhe u plagosën 16 të tjerë.
Në qershorin e 2012 ata u liruan nga Gjykata e Apelit për mungesë provash.
Më 22 dhjetor 2016 Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë riktheu vendimin e dënimit me burg për jetë për Meti Bozin, 58 vjeç dhe 13 vjet burg për Skënder Canon 61 vjeç të dy banues në Cërrik. Policia njoftoi sot ekzekutimin e tij.
Policia informon:"Ndalimi i Meti Bozit u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim penal më datë 22.12.2016, e ka dënuar me burgimtë përjetshëm për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim,6 herë, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim,16 herë, parashikuar nga nenet 79/c-25,79/c-25- 22 e 55 të Kodit Penal.
Ndalimi i Skënder Canos u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim penal më datë 22.12.2016, e ka dënuar me 13 vjet burg, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim,6 herë, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim,16 herë parashikuar nga nenet 79/c-25,79/c-25-22 e 55 të Kodit Penal.
Masakra qe tronditi shqiptaret ne 1997. U vranë dhe u dogjën 6 gardistë
Sipas vendimit të Gjykatës së shkallës së parë nga hetimi gjyqësor, është provuar se me datën 22 Maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë në Cërrik, nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë.
Të nesërmen, më 23 Maj 1997 forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i atëhershëm Agron Kuliçi në bashkëpunim me forcat e Gardës së Republikës janë nisur në mëngjes drejt Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin në duart e civilëve.
Ndërkohë, të pandehurit Arjan Toska, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu të cilët kanë qënë në dijeni të lëvizjeve të forcave policore drejt Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë.
Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 Maj 1997 në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit: Llazar Bicja, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin “Mandela”.
Të pandehurit Toska, Xhepexhiu dhe Bozi kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë të cilët do të lëviznin nëpër qytet, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre.
Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ishin duke kaluar në qendër të qytetit, fluksi i të shtënave në drejtim të forcave speciale të policisë ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore.
Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga ana e Sokol Buzanit (aktualisht i vdekur), veprime që kanë shkaktuar djegien e dy prej gardistëve që ndodheshin brenda saj dhe nga flaka janë detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e më pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të tre efektivave të tjerë Gardës.
Në përpjekje për tu larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr. 1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Gardës, shtetasi Qemal Mehmeti. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.
Viktimat në masakrën e Cërrikut Efektivë të Gardës së Republikës:
Besnik Sula
Halit Haxhia
Bashkim Mnella
Sali Martini
Qemal Mehmeti
Petrit Ndoi
Të plagosurit në masakrën e Cërrikut:
Gjergj Gjoka
Ded Margjoka
Ferd Laska
Pjeter Nikolli
Petrit Guda
Agron Kuliçaj
Pashk Ndreca
Dritan Hasa
Agim Biberi
Paulin Ndoka
Petrit Nikolli
Luan Prenga
Fari Metaliaj
Petrit Gjoka
Pashk Doda
Sokol Kuça
Saga e nje procesi gjyqesor
Më 20 dhjetor 2011 Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi për 9 anëtarët e ‘Bandës së Cërrikut’ tre burgime të përjetshme dhe 118 vite heqje lirie.
Sipas gjykatës 3 të dënuarit me burg përjetë Meti Bozi, Arjan Toska dhe Roland Xhepaxhiu kanë qënë organizatorët e masakrës së 23 marsit të vitit 1997.
Meti Bozi u dënua me burgim të përjetshëm, Lazar Bicja, u dënua me 21 vjet burg dhe Skënder Cani u dënuar me 20 vjet burg.
Ndërsa, gjashtë të pandehurit e tjerë Llazar Bicja, Tomorr Buzani, Alban Toska, Skënder Cano, Entel Gashi dhe i penduari Bujar Buzani u dënuan në total me 118 vite heqje lirie.
Më 4 qershor 2012 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda liroi Meti Bozin, Llazar Bicjan dhe Skënder Canin për mungesë provash. Ndërkaq për 6 anëtarët e tjerë të kësaj bandë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e parë e Gjyqësorit për Krimet e Rënda
Dhjetor 2013 Gjykata e Lartë rrëzon pafajësinë e tre anëtarëve dhe rikthen dosjen në Gjykatën e krimeve të Rënda.
Më 22 dhjetor 2016 Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë riktheu vendimin e dënimit me burg për jetë për Meti Bozin, 58 vjeç dhe 13 vjet burg për Skënder Canon 61 vjeç të dy banues në Cërrik.
[caption id="attachment_907997" align="alignnone" width="459"]
Ne foto: Meti Bozi[/caption]
