Arrestohet me dhunë bashkëshorti i Besa Shahinit
Protesta në Kosovë kundër partive politike që po bëjnë fushatë në shkelje të masave anti-Covid përfundoi të martën me arrestime të zyrtarëve të njohur.
Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate u grupuan para rajonit të Policisë në Prishtinë duke shkruar në murin e godinës parullën “Për partitë, tubime; për qytetarët, dënime”.
Konfrontimi me pjesëtarët e policisë, çoi në arrestimin e kryetarit të partisë, Dardan Molliqaj, njëherësh bashkëshort i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini.
Bashkë me të u shoqëruan edhe aktivistë të tjerë të grupimit socialidemokrat.
Policia e Kosovës thotë se përkundër pretendimeve, subjektet politike që kanë shkelur masat kundër përhapjes së koronavirusit në tubimet e tyre, janë gjobitur në çdo rast.
Lidhja Demokratike e Kosovës ishte partia e fundit e madhe që u ndëshkua në fundjavë me 2 mijë euro pasi kryeministri Avdullah Hoti postoi në Facebook foton e një tubimi ku pjesëmarrësit nuk respektonin rregullat e distancimit apo maskat.
Nga data 26 gusht e vitit të shkuar deri ditën e diel, autoritetet kanë penalizuar më shumë se 114 mijë persona dhe subjekte të tjera politike apo tregtare që i kanë nënvlerësuar masat anti-Covid.
Ndërkohë, pandemia e koronavirusit në Kosovë e rriti të martën në 1.380 bilancin e jetëve të humbura.



