Analistët " një përdorimësh"

Analistët " një përdorimësh"

"Profesioni" më i kërkuar vitet e fundit në vend është padyshim ai i analistit. Mediat, sidomos ato vizive kanë të zënë gjithnjë oraret e tyre më të shikuara me këtë kategori të re njerëzish, ndërsa emrat e tyre zënë jo pak hapësirat kryesore edhe në faqet e para të gazetave apo edhe revistave rozë. Të cilat, të nxitura nga televizionet i konsiderojnë këta shëtitës nëpër ekrane dhe gazeta që flasin e shkruajnë për gjithçka, si persona me shumë rëndësi dhe ndikim në shoqëri, shpeshherë më shumë sesa edhe vetë politikanët…Por ata që bien më shumë në sy nga kjo "rracë" e re e "realizmit demokratik" janë analistët politikë. Një grup i vogël personash ky që në fakt janë në pjesën më të madhe pa një profesion të qartë apo profil e kontribut të caktuar profesional dhe që meritë të tyre të vetme kanë përshtatjen me qeverinë e radhës dhe shërbimin pa asnjë ekuivok ndaj saj.

Eshtë në fakt shumë e vështirë që nga kjo aradhë analistësh të gjesh syresh, të cilët kanë qenë koherent në qëndrimet e tyre në vite ndaj një partie politike apo edhe lideri politik. Sigurisht që mund të gjesh, por vetëm mes atyre që kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e tyre për të majtën në Shqipëri. Por, edhe mes këtyre ka nga ata që njëherë kanë ngritur në qiell Nanon, pastaj Metën, pastaj Ramën dhe gjithnjë janë rrotulluar në këtë cikël emrash. Duke ndërruar kështu sipas radhës "padronin" politik apo mediatik, të cilit kanë pasur kënaqësinë që t'i shërbejnë. Ndaj edhe kur i dëgjon sot që të mbrojnë një politikan apo vijë politike të cilën e kanë kritikuar ashpër dikur, më e pakta është të qeshësh dhe të çuditesh nga morali i munguar njerëzor e profesional. Secili mund ta kuptojë se e majta ka njerëzit e vet më të shumtë në këtë "çetë" analistësh. Sikurse e majta komuniste që shpërndau njerëzit e vet tek e djathta e sapo krijuar në vitet 90, edhe analistët e njohur si majtistë nga origjina familjare, janë shpërndarë dhe kanë zënë karriget e tyre në të djathtë të ekraneve.

Janë këta analistë që po orientojnë jo pak edhe politikën e opozitës aktuale në Shqipëri, duke u shndërruar në "opinionistët" më të flaktë pro politikës së liderëve të së djathtës në vend. Nuk ka nevojë të përmenden me emër e mbiemër, por secili që ka një memorie politike dhe mediatike të shtrirë në një kohë jo shumë të gjatë, mban mend që këta njerëz villnin vrer ndaj Berishës psh dhe më vonë edhe ndaj Bashës sapo ky i fundit hyri aktivisht në jetën politike në vend. Mjafton që të hapen arkivat e gazetave dhe të televizioneve dhe transformimi i tyre është i pa besueshëm. Në atë kohë, këta analistë të majtë në shpirt e në ndërgjegje, ishin sejmenët e qeverisë Nano e Meta, por kohë pas kohe, kur Rama erdhi në krye të PS i zëvëndësoi ata me persona më të zellshëm dhe të aftë për ta mbrojtur, dhe kësisoj ish kritikuesit e ashpër të Berishës e Bashës sot janë zërat zyrtarë të avokatisë ndaj tyre. Ata që i njohin nga afër me emër e mbiemër këta analistë, e dinë shumë mirë se ata "zemrën e kanë majtas, por xhepin djathtas" dhe kjo është një shprehje që ata shpesh e përdorin vetë për të justifikuar shërbimin që i bëjnë pronarit të radhës, mediatik apo politik. Por e keqja është se elektorati i djathtë, politika e këtij grupimi deri në nivele të larta i konsideron ata si "mendje-ndritur".

Në fakt, shumë prej këtyre analistëve vetëm sa zbardhin sms-të e politikanëve në debatet televizive apo komentet në gazeta, sesa shpalosin mendimin e tyre për një zhvillim të caktuar politik. Dhe politikanët e djathtë, për fatin e keq të tyre, bredhin nëpër kafe dhe zyrat e parlamentit me shkrimin apo "batutat" e tyre të thënë në emisionin politik të radhës…E majta e ka fituar me të djathtën "betejën" me analistët, pasi duket se e djathta është e prirur më shumë që të mbledhë rreth vetes këta soj analistësh që i konsideron me emër, por që në fakt më shumë sesa shërbim i bën dëm vetë asaj. Të mbash rreth vetes analistë "një përdorimësh" ose siç thuhet në gjuhën moderne "kontraceptivë" rrezikon që të infektosh partinë me viruse shumë të këqija, të transmetueshme në nivele të ndryshme politike dhe në mënyrë horizontale dhe të pakurueshme në elektorat.

Qytetarët e thjeshtë mund të mos kenë zë publik për të shprehur mendimet e tyre, por ata janë ndjekës të rregullt të debateve politike në vend dhe i kanë të fiksuar shumë mirë në mendje atë soj analistësh që kanë kaluar periodikisht në mbështetje të njërit apo tjetrit krah politik. E djathta, tashmë në opozitë e pagoi faturën e bashkëqeverisjes edhe me të majtën në këto 4 vite dhe mbështetja tek "ideologët" e saj mediatikë nuk se do t'i shërbente perspektivës politike të këtij grupimi. Riorganizimi i së djathtës nuk do të thotë që institucionalizosh kastën e analistëve që sa herë ndërrojnë qeveritë, ndërrojnë edhe ata ngjyrën e kontraceptivit, nga rozë në blu dhe anasjelltas. Analistët "kontraceptivë" heqin një herë në katër vjet "kapuçin" e tyre profesional, duke masturbuar në luksin e pushtetit të radhës. Por për fat të keq, virusi mbetet gjithnjë tek klasa drejtuese politike, që mesa duket në shumë raste është e prirur që të përdorë sa të jetë e mundur këtë lloj specie, e cila në kushtet e pushtimit të ekraneve dhe gazetave, por largon gjithnjë e më tepër nga debatet edhe ekspertët dhe intelektualët e fushave të ndryshme. Të cilët, duke parë këtë lloj gatishmërie "një përdorimëshe" të analistëve, frikësohen gjithnjë e më tepër nga gatishmëria e tyre për të folur për çdo gjë, dhe jo vetëm për politikë.

Botuar në Gazetën Mapo, 20 maj 2014

EMISIONET