Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar unitet mes Shqipërisë dhe Kosovës për cështjet madhore, e sidomos kur përballë është Serbia.

Ish-Kryeministri ka kritikuar shefin e ekzekutivit në Tiranë, Edi Rama, pasi sipas tij, ky i fundit nuk mban qëndrime të nevojshme përkundrejt Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe se madje nuk thotë të vërtetën për këtë të fundit.

Marrëdhëniet mes Albin Kurtit dhe Kryeministrit Rama vijojnë të mbeten në një pikë të ulët, ndërsa lideri i VV-së është shprehur në një deklaratë të fundit se shefi i ekzekutivit në Shqipëri nuk mban qëndrimin e duhur përballë Presidentit të Serbisë.

“Ka kohë që me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotri Edi Ramën ne nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përketë presidentit të Serbisë, kjo është një pikë e rëndësishme që ne dallojmë fort. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërtetën për presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh dhe arsyesh, unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin por as të drejtën që të dallojmë sa i përketë Beogradi”, deklaroi Kurti.

Madje Kurti thotë se Rama nuk thotë të vërtetat që duhen thënë për Vuçiç dhe se për këtë nuk gjen dot një arsye.

“Mospajtimet tona vijnë nga ky dallim, dallimi thelbësor është qëndrimet e ndryshme që i kam unë dhe kryeministri i Shqipërisë, për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë t’i lokalizoj në figurën e Millosheviqit, kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptarë. Andaj kryeministrit të Shqipërisë por edhe Kuvendit të Shqipërisë i bëj thirrje që, ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, rezolutën e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, ta bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Kurti.

Ish-kryeministri i Kosovës shtoi më tej se Shqipëria dhe Kosova e kanë të dosmosdoshme që të mbajnë qëndrime të njëjta në raport me palë të treta.

Në mbyllje, Kurti i bëri thirrje Parlamentit të Shqipërisë, që sikurse Kosova, të votojë një rezolutë që i cilëson gjenocid, krimet e ushtrisë serbe mbi shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës.

LEXO EDHE: Rreziqet e armatimit të Serbisë nga Rusia, Kosova i druhet agresionit