Edhe pse jemi në kohë koronavirusi, AKSHI nuk nguron të bëjë tender për trajnimin dhe certifikimin e punonjësve. Janë 9 vetë për të cilët do të shpenzohen 800 mijë lekë. Ndërkaq për tenderin e blerjes së 255 kompjuterave rezulton të ketë marrë pjesë vetëm një kompani, rrjedhimisht dhe fituesja.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka zhvilluar së fundmi një tjetër tender pa garë dhe me një fitues pothuajse sa vlera e fondit limit.

Për përmirësimin e rrjetit të brendshëm për shkollat dhe blerjen e 255 kompjuterave, 18 printerave si dhe paisjeve të tjera mbështetëse është shpallur fitues subjekti Atom Computer Shpk me vlerën e ofertuar prej 33 milionë e 89 mijë lekë.

Në fakt kjo kompani rezulton të ketë qenë e vetmja në garë dhe oferta që ka paraqitur ka një diferencë të vogël nga fondi limit.

Pavarësisht gjendjes së vështirë në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë AKShI rezulton të ketë zhvilluar dhe një tjetër procedurë me një fond limit prej 800 mijë lekësh.

Ky tender ka si qëllim trajnimin dhe certifikimin e 9 punonjësve të këtij institucioni për menaxhimin e sigurisë së informacionit.

Fitues i kësaj kontrate rezulton të jetë shpallur FASTECH, nën administrimin dhe pronësinë e Andis Papa me ofertën prej 760 mijë lekëve të reja.

Të dyja këto prokurime mbajnë në fund firmën e Drejtoreshës së këtij institucioni, Mirlinda Karçana.

Prokurimet e vazhdueshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit vijnë në një kohë kur buxheti i qeverisë është në vështirësi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.